Të gjitha televizionet: Votime, votime, votime, ...

Të gjitha televizionet kombëtare dhe ato lokale kanë punuar sot si në ethe. Kanë filluar qysh në mëngjes maratonat e tyre elektorale, të cilat do të vijojnë deri në orët e para të mëngjesit të nesërm. Janë maratona me tituj të tillë, si “Shqipëria vendos”, “Shqipëria voton”, “Shqipëria votë pas vote”, “Zgjedhjet parlamentare 2013”, etj, etj. Në drejtimin e tyre janë caktuar gazetarët më të mirë të televizioneve, të cilët gjatë gjithë kohës kanë qenë në studiot e tyre të improvizuara me këtë rast nën shoqërinë e ekspertëve, analistëve, komentatorëve, dhe të lidhur me reporterët e shpërndarë nëpër të gjitha qarqet e Shqipërisë. Herë pas here këto studio janë lidhur me KQZ-në, apo me selitë e partive që kanë pasur konferenca të vazhdueshme për shtypin, me anë të të cilave kanë synuar të motivojnë in extremis votuesit e tyre dhe të inkurajojnë militantët.
Shikuesit, me siguri, kanë mbetur me telekomandë në dorë përr të pare, sipas rastit, Top-channel-in, Ora News-in, Top News-in, TV Klanin, ABC-në, Vizion Plusin, News 24, A1 Report-in, televizionin AS, televizionin publik TVSH, etj, etj. Ka qenë një ditë që televizionet ia kanë kushtuar tërësisht ngjarjes elektorale. Ra në sy që TV Klani pati një parantezë me Ardit Gjebrenë, që drejton Të Dielën Shqiptare.
Re.Pu.
Add new comment