Haxhinasto reagon për Belle Air: Faliment jotransparent, kishte gjysmën e tregut

Pretendimi i kompanisë “Belle Air” për ngrirje të llogarive bankare nga shteti, është përgënjeshtruar nga ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto. Kjo kompani ndodhet në gjendje të vështirë financiare për shkak të keqmenaxhimit, ka deklaruar ministri, duke kritikuar edhe sjelljen e kompanisë duke pezulluar pa paralajmërim fluturimet. “Situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga kompania “Belle Air”. Nuk ka bllokim të llogarive. Ajo që ka ndodhur është situatë e krijuar nga keqmenaxhimi i kompanisë, mungesa e theksuar e transparencës dhe mos plotësimi i detyrimeve. Ndonëse është në një situatë të privilegjuar duke kontrolluar 50% të tregut të fluturimeve”, tha Haxhinasto.
Anulimi i fluturimeve nga kompania “Belle Air” u ka shkaktuar shumë probleme pasagjerëve që kishin rezervuar një biletë udhëtimi me avionët e linjave të kësaj kompanie, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali dhe Greqi. Kompania ka depozituar të premten, në datën 22 nëntor 2013, kërkesën për falimentim. Kërkesa është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, nga vetë përfaqësuesit e kompanisë. Por nëse kërkesa për falimentim është bërë të premten, njoftimi për pezullimin e punës, kompania e fluturimeve e ka bërë vetëm dje në datën 24 nëntor 2013, dy ditë më pas, duke prerë bileta për udhëtarët. Autoriteti i Aviacionit Civil, prej më shumë se një ore ndodhen në mbledhje në zyrat e DPAC-së, për të sqaruar situatën.
a.k
Add new comment