Shqipëri-Kosovë, një treg i munguar. Gërxhaliu: “Nuk kemi nevojë për fotografi”

Postuar në 28 Nëntor, 2013 07:35

Qeveria shqiptare ka paralajmëruar mbledgje të përbashkëta me qeverinë e Kosovës. Mbledhja e parë mendohet të mbahet në muajin shtator dhe pritet të shënojë një hap përpara në marrëdhëniet mes të dyja shteteve. Në përgjithësi publiku i ka përcjellë raportet shqiptaro-kosovare me një përfshirje më shumë emocionale, por koha po tregon se nuk mund të ketë marrëdhënie të vërteta pa komunikim ekonomik. Kështu gazeta “Zëri” në Kosovë i ka kushtuar vëmendje kësaj teme dhe për këtë ka marrë një prononcim të kreut të Odës së Tregtisë, Safet Gërxhaliu. Ky i fundit e sheh bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në një optikë më pragmatiste, duke marrë në konsideratë edhe investimet që janë bërë. “Nuk kemi nevojë për fotografi, nuk kemi nevojë për dekor. Kosova edhe Shqipëria kanë nevojë për zhvillim ekonomik, kanë nevojë për projekte konkrete, dhe nëse deri tani janë bërë investime në infrastrukturë edhe ato mbeten të pashfrytëzuara, nuk duhet që kjo infrastrukturë të jetë në funksion vetëm 3 muaj të verës, por duhet të ketë qëndrueshmërinë dhe kontinuitetin, por mbi të gjitha duhet të debatohet për mundësitë komplementare, që i kanë dy ekonomitë e dy shteteve të një populli të ndarë”, thotë Gërxhaliu. Investimet janë kryesisht rruga Durrës-Kukës, një projekt strategjik i realizuar me një kosto jo të vogël, por që deri më tani nuk po përmbush ato pritmëri të kërkuara në planin ekonomik. Qeveria e mëparshme shqiptare lejoi edhe hapjen dhe përdorimin e portit të Shëngjinit për qeverinë e Kosovës, por edhe ky hap nuk duket të ketë vënë në lëvizje ndonjë gjë të madhe. Largimi nga “idili politik” siç shprehet Gërxhaliu, është një praktikë që po ndiqet edhe nga venete e tjera në rajon. Kështu mjaft shtete të ish-Jugosllavisë, si Serbia dhe Maqedonia po rivendosin ato ura që u prishën 23 vjetët e fundit.  

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.