KLD rrëzon ministrin mbi emërimet e reja. Naço flet për farsë dhe qoka

Mbledhja e sotme e Këshillit të Lartë i Drejtësisë në orën 10:00, për emërimet në sistemin e drejtësisë, është shoqëruar me debate të ashpra dhe është pasuar nga braktisja e saj prej ministrit të Drejtësisë Naço dhe anëtarit të KLD-së Sokol Çomo. Mbledhja me dyer të mbyllura, refuzoi kërkesën e ministrit për përfshirjen e emërimit të magjistratëve si pikë të parë të rendit të ditës. KLD-ja ka miratuar të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës, duke rrëzuar kërkesën e Naços. Ndërkaq vendet bosh në gjykatën e Tiranës dhe rretheve presin emërimet e reja, por KLD refuzoi futjen e prurjeve të reja, çka për Naçon përbën një farsë: “Gjyqtarët kanë mbaruar studimet, por KLD nuk i fut në rendin e ditës, duke i lënë ata jashtë sistemit. Plotësimi i vendeve vakante në gjykata do të bëhet me anëtarë të ardhur nga rrethet. U largova nga mbledhja sepse nuk dua të bëhem pjesë e kësaj farse. Në emërimet që do bëhen do ketë një farsë. Magjistratët mund ta përmirësojnë sistemin e drejtësisë dhe jo duke bërë qokat e KLD-së”, u shpreh ministri.
a.k
Add new comment