Kodi i ri Penal, ashpërsohen dënimet për atentatet me tritol

Postuar në 07 Mars, 2014 10:46

Qeveria propozon ndryshimet e reja për Kodin Penal. Në Kodin e ri Penal do të kemi masa më të ashpra dënimi për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së eksplozivëve si edhe për shkeljen e rregullave të ruajtjen e këtyre ekplozivëve. Në relacionin e ri për rishikimin e Kodit Penal, Ministria e Brendëshme si institucioni kryesor përgjegjës për hartimin e masave thuhet se: “Duke marrë shkas  nga veprimtaria kriminale e përdorimit të lëndëve plasëse, prej të cilave siguria e rendit është e cënuar, nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit është bërë një analizë e hollësishme dhe është arritur në konkluzionin se, veç shkaqeve të tjera, kjo situatë favorizohet edhe nga masa e ulët e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”. Por edhe për subjektet e licensuar për përdorimin civil, apo import – eksport të lëndëve eksplozive parashikohen masa të rënda për shkeljen e rrregullave për ruajtjen e tyre.  Si pasojë lëndë të tilla përfundojnë duke u shitur tek kriminelët të cilët më pas i përdorin për qëllimet e tyre.

Kështu është propozuar që paragrafi 3 i nenit 278 të Kodit Penal, ku është parashikuar masa e dënimit me burgim nga një deri në pesë vjet, të propozhet ndryshimi i dënimit nga 5 deri në tetë vjet burg. Në nenin 282 të Kodit Penal, ku përcaktohet vepra penale: “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, ku masa e dënimit është me gjobë ose me burgim deri në dy vjet, të parashikohet në dënimin me burgim nga dy deri në pesë vjet. 
Në paragrafin e dytë, masa e dënimit nga ajo me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet, parashikohet me dënimin vetëm me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Duke hequr mundësinë e dënimit me gjobë dhe caktimin e një kufiri të dënimit minimal më të lartë se ai ekzistues. Kohët e fundit kanë qënë të shpeshta rastet kur përdorimi i lëndëve eksplozivë është përdorur nga grupe të ndryshme kriminelësh. Biznesmenë, politikanë, njerëz të përfshirë në krim etj, kanë qënë pre e këtyre atentateve me eksploziv.  S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.