Alfred Moisiu: Ngjarjes së përgjimit nga ana e SHISH-it duhet t’i shkohet deri në fund

Ish Presidenti Alfred Moisiu shfaqet i tronditur nga ajo që mediat kanë njoftuar lidhur me përgjimin e një numri ende të papërcaktuar policësh nga ana e SHISH-it. Ai ka dhënë një intervistë për Shqipin, dhe aty saktëson arsyet pse e sheh me shumë shqetësim këtë ngjarje. Ja çfarë thotë ai:
“Kur jam njohur me këtë informacion në media, jam befasuar. Unë nuk e di se kush ia ka dhënë kreut të SHISH-it këtë detyrë. Shërbimi Informativ vepron mbi detyrat që i cakton ligji dhe mbi bazën e detyrave që merren nga Kryeministri apo Kryetari i Shtetit. Kryesisht këto detyra jepen nga Kryeministri, por nuk përjashtohen rastet që ato të merren dhe nga kryetari i shtetit. Por në rast se ai e ka marrë këtë detyrë thjesht nga vetja e tij, mendoj se ky është një gabim i rëndë. Sepse këtu nuk është problemi që përgjon apo vëzhgon një apo dy vetë, të cilët mund të dalin të implikuar gjatë një operacioni që gjurmon Shërbimi Informativ, që mund lidhet me problemet ndërkombëtare të drogës apo trafikut njerëzor; kjo është çështje tjetër. Po kështu, en bloc, situata është shumë serioze dhe duhet vlerësuar me seriozitet të madh se cila është arsyeja dhe kush e ka dhënë këtë urdhër. Për ta zbuluar këtë është detyra e organeve ligjvënëse ta shqyrtojnë, ta hetojnë dhe të nxirren përgjegjësitë e gjithsecilit për këtë punë”.
Re.Pu.
Add new comment