Mesila Doda shpjegon “PSE-në” e qëndrimeve ndryshe dhe konfirmon se do të mbetet në PD derisa “të shpiket neni i përjashtimit”

Postuar në 18 Mars, 2014 07:42

Që pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare nga Partia Demokratike, deputetja Mesila Doda  ka mbajtur vazhdimisht qëndrime të ndryshme nga qëndrimet zyrtare të partisë. Nuk kanë munguar shpeshherë në media as aludimet për një largim të saj nga kjo forcë politike; aludime të cilat ajo i ka hedhur poshtë. Megjithatë, Doda në një shkrim të botuar sot në gazetën “MAPO” ka shpjeguar arsyet se pse mban një qëndrim ndryshe nga Partia Demokratike, duke u përqëndruar në deklarimet e saj më shumë te zhvillimet e brendshme sesa vetëm në përballjen me mazhorancën e re.

“Unë sot flas për PD dhe do vazhdoj të flas, sepse është ky momenti i ristrukturimit, kjo është ende koha e pas-humbjes dhe kjo kohë mundet të na shërbejë për të rikthyer frymën e vërtetë të debatit, të objektivitetit në evidentimin e fenomeneve negative që mbisunduan vitet e fundit dhe mbi të gjitha të mundësojmë transformimin në një parti të formatit modern, në një parti në të cilën piramida e pushtetit mundet të kthehet lehtësisht me bazë lart, pasi është kontributi i bazës së gjerë të militantëve që sjell suksesin e një force politike e bashkë me të edhe suksesin e kreut…Më pëlqen shumë që PD të konsiderohet Shtëpia e Lirisë, por kjo do duhet të konceptohet jo thjesht retorikë, jo thjesht konsideratë pozitive mediatike, por optikë që i bën demokratët qysh nga ‘90 e deri më sot të ndjehen njëlloj të mirëpritur e të vlerësuar në shtëpinë e vet. Ky moment ka nevojë për një sinqeritet personal, ka nevojë për një vullnet politik e njerëzor që të bëjë që çdo anëtar të konsiderohet njëlloj i vlefshëm e i mundshëm për të patur një karrierë në strukturë, si ai që përkrahu Selamin dhe Pollon, Mustafain, Shehin apo Bumçin, si ai që përkrahu Lulin dhe Kolin, si ai që përkrahu dhe përkrah Berishën pa rezervë, si ai që do përkrahë liderët e së ardhmes Bogdanin, Bregun apo Patozin…Të gjithë pa dallim duhet t’i bashkojë një forcë politike që arrin të pranojë debatin e së tashmes dhe së ardhmes, debatin politik të demokratëve që mund të jenë qejfmbetur apo shpresëplotë, dhe vlerëson diversitetin si virtyt që e rrit” shkruan Doda.

Më tej, ajo hedh tezën se PD duhet të rivendosë lidhje me shtresat e shoqërisë si ish-pronarët apo ish-të përndjekurit e madje duke e nisur nga ndjesa për mosrealizimet gjatë kohës që PD ishte në pushtet. “Por në bindjen time të brendshme qëndron fort parimi i rikthimit të ndjeshmërisë sonë te shtresat tona tradicionale, ish të persekutuarit, ish-pronarët, ish-studentët e Dhjetorit, intelektualët. Nëse kemi gabuar, nëse nuk kemi plotësuar pritshmëritë e tyre nuk ka asgjë të keqe të nisim me një ndjesë, (përunjësia është virtyt, jo ves), por tek e fundit ne kemi qenë e vetmja forcë politike që kemi bërë diçka për ta dhe kjo është një bazë e mirë për të rivendosur një urë komunikimi edhe më të fortë e më të vërtetë se në të kaluarën” vijon në shkrimin e saj Doda.  Në fund, Doda rikonfirmon se pavarësisht qëndrimeve të saj kritike, do të vijojë të jetë pjesë e Partisë Demokratike derisa, siç thotë ajo,” të shpiket një nen i ri në statutin e PD që quhet përjashtim”.

Shkrimi i plotë : http://mapo.al/2014/03/18/pse-pd-pse-tani/

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.