Zbardhjet dosja “belge” per Frrokun. Dëshmi e akuza për prostitucion dhe vrasjen e Aleksandër Kurtit

Postuar në 02 Prill, 2015 15:32

Tv Klan ka publikuar një pjesë të dosjes që disponon drejtësia belge për Mark Frrokun ku paraqiten dëshmi për shfrytëzim prostitucioni dhe vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë. Në këtë dosje jepen detaje për lëvizjet e Mark Frrokut me 3 identetete, Besnik Morina, Dritan Frroku e Piro Sofrani si tutori i Mirës, një vajze shqiptare me inicialet M.M. Në të përshkruhet në detaje vrasja e Aleksandër Kurtit, më 5 mars të vitit 1999 në Bruksel.  Në orën 17 e 45 minuta, policia e Saint Gilles gjen në hyrjen e stacionit të trenit "Gare du Midi" të riun Aleksandër Kurti në agoni. Para mbërritjes së policisë Annick VAN DROOGENBROECK dhe Sonia WAUTEURS shohin tre të rinj rreth 25 vjec, që ngjajnë si të huaj dhe që vrapojnë drejt tyre. Njëri nga burrat mbante dorën e tij të majtë në brendësi të xhaketës dhe prej saj hedh një thikë nën kamionin e postës.

Dy persona të tjerë, një qiraxhi i identifikuar si Mohamed Buali dhe një kamerier i identifikuar si Didie’ Kesteloot e kanë parë vrasësin. Buali flet për një burrë të dobët, një tip rus apo polak, i veshur me xhaketë bezhë e bluzë të zezë. Ai ka parë atë me duar të përgjakur me të cilat mbulon fytyrën…merr një gazetë dhe largohet me vrap. Kesteloot flet për të njëjtën skenë, të një burri me duar të lara në gjak. Dëshmitare është dhe një prostitutë e huaj, Amina Shekur. Ajo thotë se një tjetër prostitutë që e ka parë të gjithë skenën i ka thënë se vrasësi ishte një djalë thatim me flokë ngjyrë gështenjë. Rashida nuk ka pranuar të dëshmojë në polici nga frika.

Një tjetër prostitutë, Kamika Ben Kabushi, thotë se një burrë i ka kërkuar të njoftojë policinë për vrasjen. Ajo nuk e identifikon dot atë në fotot e Mark Frrokut, Arjan Bytycit e Besnik Vukës.

Por kyce konsiderohet dëshmia e një prostitute shqiptare, me inicialet E.U, e cila ka deklaruar se tutori i saj, Lek Bib Xhafa, ditën e krimit i kishte deklaruar se ai duhej të largohej nga Belgjika, për shkak se një shqiptar ishte vrarë në stacionin e trenit gjatë një sherri. Vajza i ka kërkuar prokurorisë të ruajë anonimatin. Disa ditë më vonë, Lek Bib Xhafa i telefonon dhe i thotë se në momentin e vrasjes ai gjendej nën shoqërinë e Besnik Vukës, Arjan Bytycit e Mark Frrokut. Sipas tij, ata janë larguar të gjithë nga Belgjika për në vende të tjera, ditën e vrasjes.

Pas kërcënimeve të marra nga njëri prej pjesëmarrësve në vrasje, dëshmitarja e padit atë.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet me saktësi se si u njoh Aleksandër Kurti me prostitutën Lume, që komandohej nga Nardi, vëllai i Arben Frrokut dhe se si lindi konflikti.

Aleksandër Kurti ishte njohur me një prostitutë me emrin Jeta. Kur e takon në vendin ku zhvillonin prostitucionin ajo ishte nën shoqërinë e prostitutës me emrin Lume. Ai e njihte Lumen dhe i thotë asaj se do të njoftojë familjen e saj për punën që ajo bënte në Belgjikë. Më pas, Kurti merr numrin e Lumes përmes Jetës dhe i telefonon. Pas telefonatës Lumja njofton Nardin, vëllain e Mark Frrokut. Nardi kërkon t’i japë një mësim Aleksandër Kurtit dhe thërret për këtë Lekë Xhafën, Aleks Vukën dhe Hilë Morinën. Ata kontaktojnë Alfred Kolën që u tregon se e njeh Kurtin.

Por takimin me të do ta lërë Lumja. Ajo i thotë se do të jetë vetëm në stacionin e trenit, por në fakt ai gjen 4 persona që do ta vrasin. Sipas raportit mjeko ligjor ai është goditur me thikë në kokë dhe në qafë.  Në dosjen e prokororisë thuhet gjithashtu se Mark Frroku më 7 maj të vitit 2004 u ekstradua nga Hollanda, ku ai po vuante një dënim me 3 vjet burg për trafik droge.

Vëllai i Viktimës, Nikolas Kurti, pohon se  3 ditë para vrasjes ka telefonuar motrën e tij më të madhe dhe i ka thënë se nëse kunati i saj nuk takon një farë Ben, duke iu referuar Arben Frrokut, dikush do të vritet brenda 24 orësh.  Prokuroria belge thotë se Lek Bib Xhafa u ka thënë shumë shqiptarëve se kishte marrë 10 mijë dollarë për të vrarë Aleksandër Kurtin.

Përsa i përket viktimës, Aleksandër Kurti, ai identifikohet në bazë të dokumentit si Azem Shkreli, i lindur në Jugosllavi në 8 shtator të vitit 1980. Ai ndërron jetë në orën 18.05. Në xhep iu gjet një biletë për në Londër, që e kishte prerë në orën 17.05. Nisja ishte për në orën 17.56. Është vrarë 11 minuta përpara se të merrte trenin për në Londër. Iu gjet edhe një fotografi me mbishkrimin: “Lume, t’i amo, zhe t’em, të dua. 27 janar 1999. Kujtim për shokun tim Aleksandrin”. Në portofol është edhe adresa e Lumes, një prostitute nën tutelën e grupit të Mark Frrokut dhe personave të tjerë që morën pjesë në vrasjen e Kurtit. Lumja, me inicialet L. A. u gjet  nga policia nën shoqërinë V.O dhe M.M, kjo e fundit prostitutë që komandohej nga Mark Frroku. Ajo mohon që njihej me viktimën, ndonëse pohon se fotoja që iu gjet në xhep ishte e saj. Në dosje emrat e vajzave janë të plotë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.