Vizita te Mark Frroku, sqaron Spartak Braho: “Te Spitali Gjerman shkova për arsye shëndetësore. Investigues, bëhuni seriozë e të ndershëm, se na sëkëlldisët kalamajt, miqtë e shokët!”

Postuar në 25 Prill, 2015 10:10

U përfol sot se kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, kishte vizituar në spital Mark Frrokun. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kërkoi nga Braho të sqarojë pozicionin dhe ky i fundit ka shpërndarë një deklaratë ku ndër të tjera thotë: “Jam befasuar dhe kam ndjerë keqardhje e neveri që ndonjë media vazhdon të mbetet përhapëse e lajmeve dizinformuese, mision ky që jo vetëm nuk i ka hije një televizioni, por i katandis ato në si mos më keq e në përdorim klientelist të soj e sorollopësh intrigantë e aspak profesionalë. Nuk e di dhe për llogari të kujt këto televizione transmetuan pamje dhe sekuenca filmike në qendër të të cilave vendosesha unë duke dalë nga dera kryesore e Spitalit Gjerman të kardiologjisë dhe që kjo pamje u komentua si ‘vizitë e dyshimtë e Brahos në këtë spital, pasi aty ndodhej i shtruar i akuzuari Frroku!’ Ndonëse as nuk ia vlen të merresh me sqarimin e këtij dyshimi që hedh në eter kova e ndryshkur propagandistike për të bërë gjoja “lajm”, prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë. Kanë rast ‘investiguesit seriozë’ të shkojnë të kontrollojnë kamerat e sigurisë së spitalit të cilat regjistrojnë çdo gjë, policët përkatës në shërbim dhe të zbulojnë lajmin e saktë, që s’është lajm fare. Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku. Mjaft djem, investigues! Bëhuni seriozë e të ndershëm, se na sëkëlldisët kalamajt, miqtë e shokët, sikur ç’ka ndodhur e ç’keni zbuluar. Muhabet kot që i interesoi vetëm ndonjë gazete si “RD”. Mos harroni se në gjendje arresti me polic te koka është Mark Frroku e Tom Doshi. Unë isha tek dera spitalit, as në ndonjë aeroport apo hotel e në duar mbaja vetëm letra! Qesharake!”.
s.z

Comments

Submitted by Tr (not verified) on

<p>Sa i pafat qe ky qyqari, perhere e ze rastesia te ndodhet ne vendin e gabuar ne momentin e gabuar...si tek serverat...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.