Vazhdon lufta e shifrave mbi krimet dhe aksidentet. Po mediat ç'thonë?

(E perditesuar) Pasi deputeti i PD-së Berisha deklaroi në Kuvend se në një muaj ka patur 47 vrasje, sot doli në konferencë shtypi deputeti tjetër i PD-së, Arben Ristani, dhe deklaroi se në një muaj (nëntor) ka patur 10 vrasje. Por sipas Ministrisë së Brendshme, edhe kjo shifër ndjeshëm më e ulët e Ristanit është e pasaktë.
Referuar deklaratës së sotme të Ristanit të PD-së, për rritje të numrit të krimeve kundër personit, vrasjeve dhe aksidenteve gjatë muajit nëntor 2013, Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se kjo deklaratë është tërësisht e pavërtetë. Shifrat zyrtare, sipas saj, flasin qartë e nuk lënë vend për abuzime.
Konkretisht, MB-ja sqaron:
KRIMET KUNDËR PERSONIT. Në nëntor 2013 janë regjistruar 296 vepra penale të kategorizuara si krime kundër personit, kundrejt shifrës prej 700 krimesh që deklaron PD.
KRIMET E RËNDA. Në nëntor 2013 janë regjistruar 35 krime të rënda kundër personit, nga 46 që ishin në nëntor 2012, por dhe shumë më pak nga 160 që deklaroi sot PD. Pra gjatë nëntorit 2013 ka një ulje me 24% të krimeve të rënda kundër personit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
VRASJET. Në nëntor të këtij viti janë regjistruar vetëm 7 vrasje, nga 12 që ishin në nëntor të vitit 2012 dhe nga 10 vrasje që pretendon PD. Pra gjatë nëntorit 2013 ka një ulje me 42% të numrit të vrasjeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
AKSIDENTET RRUGORE. Në nëntor 2013 janë regjistruar 163 aksidente rrugore, nga 180 që pretendon PD dhe kanë qenë 26 persona të vdekur prej aksidenteve, nga 32 që deklaron PD.
Në fund, Ministra e Punëve të Brendshme i bën thirrje opozitës të informohet më saktë për shifrat e kriminalitetit, përpara se të komunikojë në publik të pavërteta.
Para disa ditësh, bashkëpuntori i respublica.al, Eduard Zaloshnja, bëri në këtë faqe një përballje të shifrave të vrasjeve të deklaruara nga Berisha dhe nga Mininstria e Brendshme, me lajmet e vrasjeve të raportuara në media. Krahasimi tregon se shifra e Mininstrisë së Brendshme është e saktë. (http://respublica.al/artikuj/2013/12/05/shenim-berisha-vs-ministria-e-brendshme-vs-mediat ).
Perditesim: Fill pas deklarates se mesiperme, PD-ja beri nje kunderdeklarate ku, nder te tjera, theksonte se, pervec 26 te vdekurve ne aksidentet rrugore, ka patur edhe 7 te vdekur ne aksidentet e minierave te Prrenjasit. Por nuk sqaronte se ç'lidhje kane aksidentet ne miniera me aksidentet rrugore...
Re.Pu.
Add new comment