Vëllai i Durim Bamit: Vëllai im lëvizte me makinë të blinduar që ia dha Tom Doshi, por ai nuk vret njerëz

“Nuk e besoj se vëllai im është paguar për të vrarë, sepse nuk e kam vëllanë të atillë, që të kryejë vrasje”. Ky është rrëfimi për “Gazeta Shqiptare” i vëllait të Durim Bamit, personit të vetëm që është arrestuar si i porosituri që ka marrë para për të vrarë ishdeputetin socialist, Tom Doshi, dhe deputetin demokrat, Mhill Fufi. Valter Bami, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” sqaron se si e njihte vëllai i tij deputetin Doshi dhe tregon se i ka parë 45 herë duke pirë kafe bashkë, në disa vende; në FushëKrujë, por edhe në Nikël. Ndërsa për herë të fundit i ka parë të pijnë kafe bashkë para një muaji. Por, Valteri shpjegon se nuk kishte dijeni për ndonjë shqetësim që mund të kishte vëllai i tij dhe në të njëjtën kohë shprehet se nuk i beson ato që thuhen për Durimin. Ai nuk e mohon se i vëllai lëvizte me një makinë të blinduar që ia kishte dhënë Tom Doshi. “Më kishte thënë se lëvizte për qejf, më kishte thënë se do e shiste, por asgjë më shumë” thotë Valter Bami për “Gazetën Shqiptare”. “Vëllai im nuk vret njerëz”, shprehet së fundi Valter Bami.
Add new comment