Tryezë për gjuhën – depërtimi i fjalëve dhe strukturave të huaja sintaksore dhe diskutim për dialektet e shqipes

Postuar në 21 Maj, 2014 02:56

Gazetarja e gazetës “Shqip”, Alda Bardhyli, ka shkruar sot një artikull të zgjeruar mbi temën e gjuhës, bazuar kryesisht në tryezën e organizuar dje nga Organizata Rinore RIAS. Dialektologjia e shqipes, marrëdhëniet e dialekteve me standardin, ishte tema kryesore që është rrahur në takimin e mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës. “A i përjashtoi Kongresi i Drejtshkrimit dialektet?”, shtron pyetjen Bardhyli. Dhe përgjigjen e ka sjellë përmes një konstatimi të gjuhëtarit Kolec Topalli, sipas të cilit dialektet mund të ndihmojnë shqipen që të përballojë erozionin leksikor dhe tjetërsimin sintaksor apo morfologjik. “Dialektet derdhin vazhdimisht pasurinë e tyre leksikore e frazeologjike në gjuhën standarde”, tha Topalli, që ka bërë thirrje të mos nënvleftësohet fuqia e dialekteve. “Duhet të zhdukim paragjykimin se është turp të flitet në dialekt;përkundrazi dialektet janë realitete gjuhësore. Duhet vetëm të dimë se në cilën situatë të përdorim gjuhën letrare e në cilën dialektet”, ka nënvizuar gjuhëtarja Mimoza Kore, duke folur për raportin e krijuar mes statusit të standardit dhe dialekteve të shqipes. Kështu gjuhëtarët bien dakord në pikën se dialektet janë pasuri e shqipes, madje pasurues të gjuhës standarde. Por ky qëndrim nuk duket se zgjidh krizën e besimit të krijuar mes tyre për mënyrën sesi do të integrohen ndryshimet eventuale në standard, pa u ekspozuar si procese që vijnë si manifestime të një paragjykimi ndaj vetë gjuhës standarde apo dhe qasje politike apo krahinariste ndaj tij.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.