Antiqyteti

Postuar në 23 Dhjetor, 2025 15:14
Anastas Konstandini

 

Rreth një vit e gjysmë më parë, dikush, një mik, më dërgoi në celular disa foto të maketeve dhe projekteve që thuhej se do të ndërtoheshin te derdhja e lumit të qytetit tonë. Aty ku ende ndodhet godina e dikurshme e Hotel Turizmit, trualli i ish kinemasë Pojska dhe disa banesa që kanë qenë matanë këtij lumi, do të përdorej për të ndërtuar një grup godinash shumëkatëshe. Ato rëndonin edhe më shumë, përmbi ndërtesat aktuale që tashmë janë të larta dhe shumë të pahijshme, që kanë pushtuar gjithë bregun e liqenit me një egërsi dhe brutalitet krejtësisht kundër natyrës dhe ligjeve urbanistike.

Fillimisht mendova se miku im bënte humor, shaka me mua, piktorin që dua natyrën dhe qytetin. Por jo! Një tjetër person i afërt me mua më tha se ishte e vërtetë një gjë e tillë. Menjëherë i shkrova kryetarit të bashkisë, z. Xhangolli, dhe i kërkova si qytetar, artist dhe banor shumë pranë parkut të ish Turizmit, të më tregonte nëse ishte e vërtetë apo jo. Për fat të keq, nuk mora asnjë përgjigje prej tij deri më tani.

Gjithsesi, i shpreha mendimin tim kundër atij projekti, i cili dukshëm ishte dhe është një orvatje për t’u zbatuar. Tani së fundi dëgjova se ai vend quhet pronë private dhe se mbi të mund të bëhet çfarë të dojë privati.

Gjithë ai vend i bukur, por i degraduar në mënyrë të qëllimshme, pa diskutim duhet të jetë një hapësirë publike, ashtu si ka qenë dhe është për qytetin tonë. Dikur ai vend ishte më i pyllëzuari, i zhytur në gjelbërim dhe miqësor me të gjithë banorët. Ndërtesat tip kullash, të lidhura mes tyre nga një brez lokalesh apo gjithfarë aktivitetesh, do të ishin një monstruozitet i paimagjinueshëm për Pogradecin e qetë, panoramik dhe natyror.

I gjithë bregu i liqenit duhej të ishte, në rastin më të mirë, i pyllëzuar dhe publik. Shteti duhet të blejë vende të tilla duke i bërë të aksesueshme për të gjithë. Vetëm ideja që në breg të liqenit të ndërtohen gjithë ato ndërtesa ekstravagante është e tmerrshme, e jo më të jenë aty ku tentohet.

Muri i madh i ndërtesave që prej kohësh ka filluar të ndërtohet në Pogradec, po e ndan qytetin nga liqeni. Liqeni dhe panorama po gëlltiten nga pronarë të cilët duhet t’i nënshtrohen planit rregullues të miratuar, por edhe traditës dhe veçantisë së vendit. Pothuajse asnjë ndërtesë që trashëgonim nga vitet 30, 40 e më pas nuk ekziston më. Mbi ato sipërfaqe është ndërtuar muri i madh që i grabit qytetit liqenin dhe normalitetin, duke sjellë një kulturë standarde ndërtimi, njësoj si në Sarandë, Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe kudo në Shqipërinë bregdetare.

Por ne jemi tjetër gjë! Vetë natyra pogradecare ka karakteristika të veçanta dhe nuk e pranon atë gjërrmë urbane shqiptare. Uroj që qyteti im të mos e provojë këtë agresivitet ndërtimesh, pasi është territor historiko natyror i mbrojtur nga UNESCO. Për fat të keq, Pogradeci, edhe kështu siç është, duket se rrezikon statusin e kësaj organizate botërore.

Nëse e sheh qytetin nga kodra e Kalasë që është pranë saj, dallon lehtësisht vetëm një rrip të hollë gjelbërimi buzë liqenit. Ajo është shëtitorja e ndërprerë, por që duhej të gjelbëronte gjithë këtë bregliqeni. Ajo është shumë pak, gati e pandjeshme për një qytet tip xhungël, të zmadhuar dhe të dendur në mënyrën më të shëmtuar. Asnjë park me pemë. Asnjë shesh në brendësi të qytetit. Për më tepër, dy bulevardet kryesore shpesh në verë, por jo vetëm, bëhen të pakalueshme.

Vazhdon...

PS: Shkrimi është marrë nga faqja në Facebook e autorit, piktor i mirënjohur i Shqipërisë

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Goxha shkrim. Duhej te lexoja gjyemen per te kuptuar qe fliste per Pogradecin

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.