Ky nuk është Kryeministri

Edi Rama ka dalë sot në një konferencë me gazetarët gjatë të cilës ka dhënë disa komente për ngjarjet e rënda të korrupsionit.
Për kreybashkiakun Veliaj ka thënë se ende nuk e di se çfarë faji ka bërë, për Belinda Ballukun ka thënë se 16 mijë faqe dosje të SPAK janë arkivë e Ministrisë, për AKSHI-n ka deklaruar se ka bërë revolucion digjital dhe se akuza është e hatashme.
A quhet një njeri i tillë kryeministër? A mund të cilësohet kështu dikush që ka marrë Besimin e njerëzve për të qeverisur?
Jo. Zoti Rama sillet si avokat i ministrave dhe zyrtarëve të vet, ndërkohë që besimi që ka marrë i kërkon të distancohet dhe madje të denoncojë korrupsionin. Jo përmes koordinatorëve të tipit Agasi, por përmes asaj ndjenje shtetësie që zoti Rama u predikon shqiptarëve nga mëngjesi në darkë.
E gjithë kjo pafajësi e shpallur dhe pretenduar do ta bënte SPAK të dukej si organ i represionit penal në një Republikë Parlamentare. Por zoti Rama deklaron se ai e mbron me devocion pavarësinë e SPAK dhe punën e tij të deritanishme që po e çon Shqipërinë në BE.
Xhanëm mund të vazhdojmë gjithë ditën dhe nuk ka për të na dalë me xhingla minglat e këtij gagareli, por e sigurtë është se skandalet e njëpasnjëshme që e kanë izoluar nga bota këtë njeri, e kanë zhveshur nga kostumi formal i Kryeministrit. Sepse një kryeministër vetëm kështu nuk sillet. Ai nuk fshihet pas gishti, as u ikën përgjegjësive politike si tani, veçse në rastin kur si kapterri i një motobarke të shpuar, u thotë të vetëve “të shpëtojë kush të mundet”.
Koha e këtij njeriu po mbaron sepse ai nuk ofron më asgjë. Do të jetë ndonjë incident, aksident, rastësi apo diçka tjetër që do ta largojë, kjo mbetet për t’u parë. Por Shqipëria dhe Edi Rama tashmë takohen vetëm për ndonjë dëm, asgjë tjetër. Edhe për pak kohë.
s.zaimi

Add new comment