Tatimet, sistemi “on line” jashtë funksionit që nga Janari. Të dhënat për 3-mujorin i përcillen M. së Financave me “shkrim dore”. Llogaritë dalin të parakorduara

Një nga treguesit që ka shkaktuar jo pak çudi në Ministrinë e Financave janë të ardhurat e grumbulluara nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në tremujorin e parë të vitit 2015. Nëse për sigurimet shoqërore të ardhurat rezultojnë me ulje, për sigurimet shëndetësore ato raportohen të realizuara 200%. Një mosrakordim që dyshohet se është pasojë e llogaritjes manuale të shifrave nga Drejtoria e Tatimeve, pasi sistemi on line i Tatimeve është jashtë funksionit. Këtë fakt e pohuan për ResPublica burime zyrtare të Ministrisë së Financave por edhe një fusnotë që gjendet në web-in zyrtar të kësaj ministrie ku saktësohet se prej Janarit sistemi on line i Tatimeve nuk është funksional.
“*Shënim:Të dhënat e treguesve fiskalë të konsoliduar për të ardhurat tatimore prej datës 01.01.2015 janë mbi bazë statistikore, për shkak të konsolidimit të operimit të sistemit të ri CATS në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”- thuhet në faqen ku prezantohen treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar. http://www.financa.gov.al/al/raportime/thesari/treguesit-fiskal-sipas-buxhetit-te-konsoliduar. Për këtë arsye mësohet nga të njëjtat burime se edhe Ministri i Financave, Shkëlqim Cani është vënë në dilemë për të raportuar shifrat e tremujorit gjatë seancës të së enjtes në kuvend. Kjo nuk është hera që sistemet “on line” të financave dalin jashtë funksionit. Pak kohë më parë edhe sistemi i degës së thesarit pësoi dëmtime për shkak të avarive me energjinë elektrike, por që Ministria e Financave e justifikoi me faktin e zhvendosjes së serverit në një ambjent tjetër.
l.m
Add new comment