Tani rëndësi ka vetëm emri

Postuar në 06 Nëntor, 2014 04:48

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka qenë sot në Presidencë, ku është takuar me Presindentin e Republikës, Bujar Nishani. Meta tha pas takimit: “Ne do të respektojmë të drejtën kushtetuese të presidentit dhe do të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të jetë një garant i drejtimit profesional të BSH-së dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni”. Raportohet se kreu i Kuvendit ka deklaruar se “nuk është folur për emrin, por për procesin”. Ndërkohë vetë Presidenti ka bërë publik faktin se janë depozituar mbi 30 kandidatura, pra emrat janë në tavolinë. Ndaj është e pashpjegueshme se për cilën arsye politika beson se emri ka ndonjë sekret, ose rëndësi, në kushtet kur nëse palët bien dakord, asgjë nuk mund të bllokojë zgjedhjen. Kjo dilemë është thuajse dashamirëse pasi praktika 23-vjeçare provon se politika shqiptare di të flasë, të vendosë, apo edhe të katranosë ndonjë gjë, vetëm duke patur parasysh çështje personale dhe emra, dosje, apo edhe ndonjë video. Ndaj këtu ka edhe një element me natyrë demagogjike që përsëritet shpesh. P.sh dje, kryeministri i vendit, Edi Rama, ishte në studion e “Ora-Neës” ku u pyet edhe për emrin e kandidatit të ri për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. “Është gjëja e fundit që më intereson në këtë moment”, tha Edi Rama. Po të ecim pak më mbrapa në kohë, në zgjedhjen e Presidentit të fundit, kemi sërish të njëjtën deklaratë. Ish-kryetar opozite, asokohe Edi Rama përsëriste shpesh pas takimeve me Berishën, apo edhe në daljet publike se “në fillim duhet të biem dakord për modelin e një presidenti”, e pastaj të ecim me emrat. Ajo që ndodhi ishte se presidenti i ri, ishte aksident emrash që pasuan njëri-tjetrin pa përfillur ndonjë merak për modelin. Për t’i shkuar parimit deri  në fund, do nënvizuar se parimet janë kthyer përmbys. Të paktën në rastin e presidentit. Pasi edhe nëse palët do të binin dakord me një model të një presidenti të tillë, terapia kushtetuese e vitit 2008, e la institucionin e Presidentit fillikat brenda lëmshit të Republikës shqiptare. Për këtë arsye, kushtetuta e vitit 1998, e kishte rregulluar me frymën e vet atë model që kërkohet të instalohet sot si i vërtetë me frymë retorike. Puna e modelit ka edhe një natyrë pak transparente, sa kohë që sfidon vetë kriteret e hapura ligjore, duke lënë shkas për lloj-lloj intepretimesh dhe duke injoruar të drejtën e opinionit publik për të ditur se kush do të drejtojë punët në sektorë të ndryshëm. Në rastin e Guvernatorit të ri, kjo ka edhe më shumë rëndësi, pasi po të ishte për politikën shqiptare, të gjithën të marrë bashkë, Ardian Fullani, do të ishte akoma Guvernator. Pra ai ishte një model shumë i pranueshëm. Mirëpo ishte rrëgjimi në krye të detyrës i këtij modeli, vetëdenoncimi i tij dhe reagimi i një pjese të opinionit, që e detyron politikën shqiptare, të “flasë sot për procesin”. Pra të hyjë në rolin që edhe e preferon kaq shumë. Pasi procesi, e dimë të gjithë, në të vërtetë është pazari mes palëve. Për këtë arsye, interesi e kërkon medoemos zbardhjen e emrave, pasi nëse i besojmë devizës se “sistemi korrupton individin”, atëherë qytetarëve shpresa u ka mbetur vetëm e vetëm tek Emri.

skerdilajd zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.