Status pa negociata nuk ka,- thotë Mustafaj dhe shton: Sjellja me grevistët, arrogancë personale e Berishës

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj në një intervistë në edicionin e lajmeve në televizionin TCH tha se propozimi për "status deri në plotësimin e kushteve" është një formulë që nuk është përdorur kurrë më parë nga Bashkimi Europian dhe në asnjë rrethanë nuk ka vend për eufori. "Ky është minimum që duhet të kuptojmë... nuk është marrë asnjë status deri në dhjetor, kur vendoset përfundimisht se çfarë hapash ka bërë Shqipëria” - tha Mustafaj dhe shtoi:
"Formula që u përdor është një farë presioni, ilustrim i asaj proverbit që në një dorë kërbaçin dhe në tjetrën kulaçin. Deri në dhjetor, Komisioni Europian do të inkurajojë me këtë formulë dialogun e bashkëpunimin mes partive për miratimin e ligjeve të rëndësishme. Formula e dhënë për statusin inkurajon bashkëpunim opozitë-mazhorancë. Status pa negociata nuk ka. Kalimi në vend kandidat shënohet me nisjen e negociatave, të tjerat janë zhurmë... Përsa kohë nuk kanë nisur negocimi i 35 kapitujve, nuk mund të quhet ende i arritur statusi".
Pyetjes: "Ju keni qenë pjesë e mazhorancës që qeveris, si e shihni grevën e ish-të përndjekurve politikë dhe sjelljen e qeverisë me grevistët?" - Mustafai i përgjigjet ndër të tjera: "Minimumi që duhej të bëhej ishte të caktohej një grup negociator për të biseduar me këta njerëz.. Kjo është një arrogancë personalisht e Berishës dhe funksionon kundër frymës dhe identitetit të PD" - Re.Pu
Në foto: Besnik Mustafaj në 20 vjetorin e krijimit të PD, dhjetor 2010 (LSA)
Add new comment