Sistemi i ri i taksave për bizneset, ja si do të jetë pulla e re e tatimit që do të përdoret

Ministria e Financave ka miratuar pullën e re që do të përdoret si mjet për shmangur evazionin fiskal dhe për garantuar mbledhjen e taksave konform sistemit të ri të taksimit. Pulla (në foto) do të ketë dimensionet e përgjithshme 50 x40 mm, do të prodhohet me letër adezive dhe do të ketë dy shirita sigurie ylber me gjerësi 8 mm dhe gjatësi 350 mm secili. Për të shmangur falsifikimin e saj, sfondi i pullës përmban 5 elemente sigurie (Guilloche), të vendosura një në qendër të saj dhe 4 të tjera të zvogëluara në këndet e pullës. Numri serial do të jetë fluoreshent dhe përbëhet nga 6 (gjashtë) shifra ndërsa kodi i tatimit përbëhet nga katër karaktere. Kodi do të jetë i padukshëm në dritën normale.
Po si do të operohet me këtë pullë të re për bizneset?
Me marrjen e konfirmimit bankar për pagesën e kryer, tatimpaguesi paraqitet te zyrat e shërbimit të tatimpaguesve pranë drejtorisë rajonale tatimore ku është i regjistruar dhe kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës, merr “pullën e tatimit” të këstit, për të cilin ka bërë pagesën. Tatimpaguesi një kopje të urdhërpagesës, së bashku me një kopje të dokumentit bankar me të cilën ka kryer pagesën, e dorëzon te zyrat e shërbimit të tatimpaguesit. Kopja e urdhërpagesës dhe kopja e dokumentit bankar i bashkëlidhen kërkesës për marrjen e “Pullës së tatimit”, protokollohen dhe depozitohen në dosjen e tatimpaguesit.
Banka plotëson numrin e vendosjes së dokumentit tek urdhërpagesa dhe e dorëzon atë në drejtoritë rajonale tatimore sipas rregullave të përcaktuara në aktmarrëveshjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me bankat e nivelit të dytë. Bizneset me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit paguajnë tatimin fiks, në masën 25.000 lekë në vit për llogari të drejtorive rajonale tatimore brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti, te bankat e nivelit të dytë dhe pajisen vetëm me një “pullë tatimi”. Ndërsa bizneset me qarkullim vjetor 2 deri në 8 milionë lekë paguajnë me 4 këste tatimin dhe si rrjedhojë, në çdo këst do të pajisen me një pullë të tillë, së cilës i ndryshon vetëm një element, ai që dallon këstet mes tyre.
k.k
Add new comment