Siri, 6000 të vrarë vetëm në muajin tetor. Bashkë me shtimin e viktimave, shtohen edhe teoritë për konfliktin

Postuar në 01 Nëntor, 2014 18:15

Edhe pse SHBA-të vendosën të ndërhyjnë nga ajri, lufta në Siri duket larg fundit. Kështu sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare vetëm për muajin tetor në këtë vend janë vrarë 6000 njerëz, prej të cilëve 250 fëmijë. ANSA jep detaje, sipas të cilave në tri ditët e fundit, janë vrarë 100 xhihadisët të ISIS, përveç faktit se brenda shifrës 6000, 1064 janë civilë. Po kaq e egër është lufta në rrjetet sociale, përmes të cilave simpatizantë të ISIS kërkojnë të mbajnë të fokusuar si kriminelin e kësaj lufte, presidentin Bashar Al Assad, të cilit nuk i mungon mbështetja. Kështu CNN transmetonte para tri ditësh një video, në të cilën shfaqeshin luftëtarë të formacioneve rebele siriane që kapnin një mercenar afgan që luftonte për llogari të ushtrisë së Assadit. Ai deklaronte se kishte qenë emigrant në Iran dhe që andej ishte dërguar në Siri me mbështetje të autoriteteve iraniane që e paguanin 500 dollarë në muaj. Dalja në skenë e iranianëve zgjeron edhe skenarët politikë, pasi Teherani zyrtar është prapavija e fortë e Assadit, bashkë me Kremlinin. Në këtë kuadër, teoritë gjithëfarëshe dhe analizat nuk mungojnë. Kështu F. William Engdahl, autor amerikan, gazetar freelance, i cituar për tezën se Pranvera Arabe ka regjisurë amerikane, jep një mendim, sipas të cilit ajo çfarë po ndodh sot në Siri dhe me ISIS është një strategji amerikane për të gjunjëzuar Rusinë. Madje ka një marrëveshje sipas tij mes SHBA-ve dhe sauditëve. Lidhja qëndron në faktin se në këtë rajon, kalon një nga projektgazsjellësit kryesorë që do të sjellë gazin iranian në Mesdhe përmes Irakut dhe Sirisë. Marrëveshja është firmosur në vitin 2011. Për më tepër që ky është aksi shiit i gazit dhe energjisë. Sipas këtij autori kjo do të nxirrte jashtë loje sunitët dhe sidomos sauditët dhe Katarin. Nga ana tjetër, fakti që çmimi i naftës po mbahet kaq i ulët, pavarësisht se në Lindjen e Mesme ka luftë, sipas Engdahl, ka të bëjë me hedhjen në treg të një sasie shumë të madhe nga Arabia Saudite, me qëllim rrëzimin e Rusisë, duke goditur eksportin e saj kryesor. E njëta strategji që sipas tij u përdor në 1986 me Bashkimin Sovjetik. “Qëllimi i vërtetë i ISIS-it, i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli është t’i japë një pretekst për të bombarduar rezervat e grurit dhe rafineritë e naftës të Assadit,  me synim rrëzimin ekonomik të tij në përgatitje të një eliminimi alla Ghaddaf, të Assadit, aleat  i Rusisë, Kinës dhe Iranit”, shkruan ai. 

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.