Si tramvaji i Lulit, Veliaj premton Kampus të ri universitar dhe punë me tre turne në bashki: “Në 300 ditët e para do të adresojmë konkretisht të 3000 problemet që kemi trashëguar”

Kandidati i mazhorancës në Tiranë, Erion Veliaj, ka qenë në Qytetin “Studenti”, ku ka premtuar kampus të ri universitar. Por edhe zgjidhjen e 3000 problemeve në vetëm 300 ditë. “Ashtu si në 300 ditët e para të qeverisë, u siguruam që të ndalonim rrënimin dhe degradimin e të gjithë shërbimeve publike të qeverisë qendrore, të njëjtin model do të ndjekim në bashki. Në 300 ditët e para do të adresojmë konkretisht të 3000 problemet që kemi trashëguar nga katër vitet e rrënimit për t’u siguruar që ndërhyrja jonë është një ndërhyrje kirurgjikale. Dua ta fillojmë këtu ku jemi në Qytetin Studenti. Është koha që pas 24 vitesh në Qytetin Studenti, ne të kemi një kampus të ri universitar”, tha Veliaj. Meqenëse nuk jetojmë në një vend me edukatën politike të Zvicrës, kemi të drejtë të bëjmë pyetjen: A është e mundur kjo gjë? Ku do t’i gjejë paratë kryetari i bashkisë për këto investime? Dhe pse nuk bëhet transaprencë dhe llogari mes kostove të këtyre veprave dhe masave të premtuara dhe buxhetit që do ketë bashkia e re?
Add new comment