Shuhet në Argjentinë aktori korçar Minella Borova

Agjensitë e lajmeve bëjnë me dije se Minella Borova, një prej emrave simpatikë të kinemasë shqiptare ka ndërruar jetë në Buenos Ajres, Argjentinë, ku jetonte prej disa vitesh.
Ai do të mbahet mend për rolin kryesor në filmin “Udhëtim në Pranverë” dhe personazhesh të tjerë të skalitur në filma të ndryshëm, si "Rrugë të bardha", “I treti”, “Pylli i lirisë”, “Rrethimi i vogël” dhe “Në fillim të verës". Por, përveç roleve, ai ka qenë për shumë vite një artist dhe njeri i dashur e i vlerësuar nga komuniteti artistik, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i referohet mendimeve, batutave e thënieve të tij.
Sipas një biografie online, Minella Borova lindi në vitin më 22 shkurt 1947 në Korçë.
Kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Punoi ne teatrin “A.Z Cajupi” të Korçës, më pas si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve dhe si specialist i teatrit në Ministrinë e Kulturës.
Në vitin 1993 emigroi per gati 15 vjet në Argjentinë, për t’u rikthyer serish ne vitin 2006, ku edhe nisi punë si specialist i teatrit në Qendrën Ndërkombetare e Kulturës “Pjeter Arbnori”.
Roli i parë është ai i Lirimit në dramën “Njollat e murrme” (1969) te Minush Jeros me regji te Mihal Luarasit, me të cilin fitoi edhe çmim si “Aktor i ri”. Ndër rolet më të realizuar të tij janë: Leka te “Të pamposhturit” e M. Jeros, Martini te “Mosha e bardhë” e Dritero Agolli, Stenli Kor tek “Engjëjt e sketerrës” e George Bellak dhe Pol Kanten, mësuesi te “Plumbat e shkronjave” të Naum Priftit, hetuesi te “Qyteti i akuzuar” i Teodor Laços, Vehapi te “Tri ditët e kiametit” e Luan Qafezezit; Raqi te “Mësuesi i letërsisë” i Ruzhdi Pulahes, etj. Në vitin 2007 pas një ndërprejeje rreth 15 vjeçare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina.
k.c.
Add new comment