Shqipëri pse shkrin/ Shqipëri pse s’mban, - reciton Gjokutaj Kadarenë dhe i quan “tradicionalistët” tradhtarë

Çapajev Gjokutaj në një opinion në të përditshmen MAPO, merr në analizë sjelljen e medias dhe një pjese të publikut shqiptar ndaj rastit të 5 shqiptaro-zviceranëve që luajnë për kombëtaren e futbollit të Zvicrës. Gjokutaj e fut më pas këndvështrimin e tij në përplasjen mes tradicionales dhe modernes dhe quan tradhtarë pikërisht tradicionalistët.
“Për të shfryrë sadokudo mund të këndonim atë këngën e mokrarëve të Kadaresë: Shqipëri pse shkrin/ Shqipëri pse s’mban/ si lulja në mars/ si bora në maj. Metafora e borës që s’mban, mund t’i shkonte po kaq mirë edhe modernitetit tonë sot e kësaj dite të nëpërkëmbur. Kemi një shekull që përpiqemi të reduktojmë vargonjtë e tradicionales për ta bërë modernitetin shqiptar sa më të gjallë e sa më funksional, - shkruan Gjokutaj dhe shton:
“...Një nga arsyet madhore pse moderniteti shqiptar mbetet kaq i brishtë e i paqëndrueshëm është se nuk po ia dalim dot të ndahemi me normat e një shoqërie tradicionale. Moderniteti vë në plan të parë lidhjet e interesit, të institucionit, firmës, skuadrës etj, tradicionalja funksionalizon lidhjet e gjakut, krahinës, klanit etj. Modernia strukturohet mbi themelet e marrëdhënieve formale, ligjore, kontraktuale etj; tradicionalja mbi zakonin, fjalën e dhënë, besnikërinë etj. Modernia përzgjedh dhe motivon mbështetur mbi aftësitë, profesionin, ekspertizën etj., tradicionalja – mbi militantizmin, retorikën etj. Njëra i falet logjikës, tjetra emocionit. Në fund të ditës rezulton se njëra priret nga e ardhmja, nga zhvillimi e përparimi; tjetra nga e shkuara, nga nostalgjia e stanjacioni. Rezultat i gjithë këtij ekuacioni përmblidhet te dilema që s’do përgjigje: përpara apo prapa, progres apo regres? Trumbetuesit e normave tradicionale, megjithëse për nga binishi, mund të duken patriotë, për nga thelbi janë tradhtarë. Natyrisht, tradhtia këtu nuk konceptohet në kuptimin e parë, d.m.th. veprimtari armiqësore që kryhet kundër atdheut/popullit, duke bashkëpunuar me armikun etj., etj. Në rastin tonë fjala tradhti konceptohet në një nga derivatet kuptimore: minimi i një ideje të madhe, i një ideali, i një vlere ekzistenciale, që ndikon kahjen e zhvillimit të një populli, të një vendi...”
Më shumë:
http://www.mapo.al/2012/09/24/patrioti-tradhtar/
Në foto:
Poster me imazhin e Pasaportes Biometrike, i vendosur me rastin e liberalizimit të vizave, i rrëzuar nga era në Tiranë (LSA)
Add new comment