Shënim: Një mazhorancë drejt obezitetit sipas modelit të PDIU-së

Postuar në 01 Prill, 2015 16:11

 Interesi i lartë i medias për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit dhe kandidaturat që do t’i propozohen “popullit” për menaxhimin e qeverisjes vendore është i pajustifikuar për vetë modelin që politika po ndjek në përzgjedhjen e emrave që do të marrin nën administrim mbledhjen e taksave lokale dhe shpenzimin e fondeve publike për 61 bashkitë e reja të vendit. E para, këtij procesi që synon të seleksionojë “shërbëtorët” më të mirë për komunitetet lokale i mungon plotësisht transparenca. Ka kryetarë partish që me lista në xhep vrapojnë nga një seli në tjetrën dhe mikrofonë që rendin pas tyre për të mësuar ndonjë detaj nga kulisat e negociatave mes të “mëdhenjve” dhe të “vegjëlve” të politikës. Ka deputetë që “shpresojnë” që lapsi i kryetarit të rrethojë emrin e tyre në listën e kandidatëve për bashkiakë të ardhshëm, ka partiakë degësh që përdorin kredencialet e bazës për t’i bërë presion kryetarit, ka burokratë me karrierë që nuk duan të heqin dorë nga mandati i kryebashkiakut. E njëjta parodi këtu e 25 vjet. Dëshpërues është fakti se ky model vazhdon të jetë parimi me të cilin politika bën llogaritë e pushtetit, me një moral që as i skuq dhe as i vë në siklet për t’u shfaqur në ekrane si promovues të bashkëpunimit, progresit, solidaritetit dhe patriotizmit si të mëdhenjtë ashtu dhe të vegjlit që ngjyejnë bukën në çorbën e koalicioneve sipas interesit të momentit. Nuk është folur asnjëherë për kriteret e kandidatëve që do të përzgjidhen, nuk dimë se çfarë ambiciesh ka njëra apo tjetra parti, janë përfolur vetëm emra që katapultohen nga ministria në bashki dhe janë përmendur vetëm garanci që u japin fitore në tavolinë aleatëve në kaq apo aq bashki. Në këtë frymë u arrit edhe marrëveshja e fundit mes Partisë Socialiste dhe çamëve të PDIU-së, një parti që natën bie të flerë në koalicion me Partinë Demokratike dhe në mëngjes gdhihet në aleancë me Partinë Socialiste. U fol për 4 bashki që Partia Socialiste i la si zona të lira për partinë e Shpëtim Idrizit, e cila edhe pse në koalicion me opozitën ruajti drejtimin e disa drejtorive, falë flirtit me mazhorancën socialiste. Çfarë përfaqëson PDIU-ja vallë për Aleancën për Shqipërinë Europiane, përveç numrave? Me siguri përgjigja është Asgjë. Dikush mund të dalë e të bëjë avokatinë e mekanizmit politik që ka shtënë në punë kryeministri: politika është interes. Interes i kujt xhanëm? PDIU është vetë historia e politikës si lavjerrës i interesit të çastit, që ka si përvojë kryesore administrimi politik, pjesëmarrjen në qeverinë “Berisha2”, falë së cilës Rilindja zbuloi kontrastin moral, e para të cilës i vuri mision vetes të ndryshonte Shqipërinë. Por edhe nëse flasim për interes, çfarë interesi ka një kryeministër të shtojë radhët e një mazhorance thuajse absolute? Po të shqyrtojmë garën e 21 qërshorit, perceptimi është se në njësitë më të mëdha koalicioni qeverisës ka më shumë shanse, për vetë kushtet ku ndodhet opozita sot. Nëse hyjmë në Parlament, aty, ky koalicion komandon çdo nismë. I vetmi shpjegim mbetet siguria politike e Kryeministrit, perspektiva dhe sidomos heqja e varësisë nga një faktor si LSI. Që të realizohet kjo, është e qartë se ka vetëm një ofertë: partitë marrin pjesë në llokmën e pushtetit, sundojnë sinorët e tyre dhe kjo pavarësisht demagogjisë me fjalën "kontribut" që tanimë nuk vlen më shumë se disa like në Facebook. Por problemi kryesor është prirja e kreut të koalicionit për të lënë thuajse me Zero kundërshtarët, për të fituar çdo gjë në funksion të sigurisë politike. Nëse e eventualisht më 21 qershor do të konfirmohet dërrmimi i dytë i opozitës, me siguri që nevoja për të kundërshtuar këtë qeveri që thjesht sa zgjeron perimetrin, do të jetë më e madhe se asnjëherë tjetër. Dhe këtë e kërkon logjika e sistemit, që po merr goditjen themelore në balancat e vet, edhe kështu i denatyralizuar, si nga opozita parlamentare, ashtu edhe nga shumica.

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.