Shënim: Edhe Presidentit i duhet një dekoratë...

Dje ResPublica publikoi një lajm, sipas të cilit gjatë dekorimit të presidentit turk, Erdogan, nga homologu i tij Nishani, ishte hequr busti i Skënderbeut. Presidenca nuk ka bërë ndonjë përgënjeshtrim.
Në dukje një detaj që për shumëkënd nuk ka dhe aq vlerë, në një vend si ky i yni, ku diskutohet mbijetesa. Mirëpo vizita përgatiten me kujdes të veçantë protokollar; kështu që heqja e bustit të Skënderbeut, që fundja vetë këta që drejtojnë të ngratën Republikë, e kanë vënë aty gjithë krenari, përbën një të dhënë sesi ato që na shiten si simbole kombëtare, negociohen shumë kollaj. Për ta thënë më thjeshtë: kjo është si ndërrimi i emrit për të marrë një dokument. Por njësoj si në këtë krahasim, edhe kjo heqja e bustit nuk dihet nëse është kërkuar, apo është bërë vetë. Na vjen këtu në mend edhe një tjetër shembull: lisi i madh i Galerisë së Arteve u pre nga Bashkia e Lulzim Bashës se aty do bëhej një ceremoni e ambasadës amerikane. Kulmi i ironisë dhe provë se ky shtet nuk ka shtyllë kurrizore është se heqja e bustit u bë gjatë një ceremonie ku Erdoganit i jepej dekorata e Flamurit!!! Flamuri njihet ndryshe si flamuri i Skënderbeut, stema e Kastriotëve, duke e bërë kështu të gjithë atë që ndodh në Shqipëri një nonsens. Për të ardhur te Presidenti i Republikës: ky do thënë se mbeti me dekorata në dorë, kudo që shkon ka dikë për të dekoruar, ka diçka për të nderuar. Nuk dihet sa dekorata i bie mesatarisht që të ketë shpërndarë Bujar Nishani; ndoshta është bërë një profesionist në këtë fushë. Por kjo e Erdoganit është pikante: hiqet busti i Skënderbeut për të dhënë dekoratën e Flamurit të Skënderbeut. Gjithë kjo përpjekje, qëllimmirë ndoshta, meriton një vlerësim, një dekoratë. Po me çfarë dekorate mund të nderohet Presidenti aktual?
s.zaimi
Add new comment