Shënim: Angazhimi i pazakontë i një ish-kryeministri për garën e Tiranës

Pandeli Majko ka qenë kryeministër i Shqipërisë, pastaj ministër i Mbrojtjes. Thuhet se Majko është njeri me kredibilitet, edhe këtu edhe në Kosovë e Maqedoni, për shkak se detyra e tij mbuloi një periudhë siç ishte Lufta e Kosovës. Por me gjasë Majko është i dashur shumë edhe për socialistët, meqenëse sipas lajmeve të ndryshme, por edhe sipas deklaratës së deputetit Ben Blushi, ai ishte i preferuari i bazës së partinë në Tiranë për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. E megjithatë nuk u kandidua. Ishte një vendim i partisë apo i kryetarit, kjo nuk ka për t’u marrë vesh në një parti e cila tashmë nuk dihet nëse edhe Tom Doshin e ka përjashtuar apo thjesht i “ka tërhequr vërejtje me shkrim(gazetash) në kartën e regjistrimit”. Gjithsesi Majko, ish-kryeministri, këtë skualifikim si vendim partie e respekton, madje po vetëshërbehet me kontribute edhe në fushatën elektorale. P.sh sot, ai ka postuar diçka në Facebook, ku flet për debatin e pritshëm Kosova-Veliaj. Ja se çfarë thotë ndër të tjera: “Më në fund, kandidatët kryesorë për Bashkinë e Tiranës kanë rënë dakord në parim që të zhvillojnë debat publik. Ky është një lajm i mirë. Ai nuk është “çudia” e vitit pasi e kundërta do të ishte e vërtetë. Debati publik Veliaj – Kosova do të respektojë një komunitet prej 1 milion vetësh në Bashkinë e Tiranës... Doktor Kosova e ka një “homolog” në fushatën për Bashkinë e Tiranës i cili kishte javë që ja kujtonte këtë fakt dhe ky është Erion Veliaj. Vendimi i kandidatit të opozitës është një akt në drejtimin e duhur. Urime Doktor Kosovës…veç kujdes se Velia në studion televizive është në “maternitetin” e tij”, shkruan Majko. Një status që është “qokë” për të dyja palët: përgëzohet dr. Kosova dhe i jepet një penelatë Veliajt si “luani i debateve televizive”. Për këtë debat do pritur, ndonëse në parim, kandidati socialist ka avantazhe, sa kohë televizioni është në planin komunikativ, instrumenti i maskimit, më shumë sesa i prezantimit. Për të lënë mënjanë “pilulat prenatale” të Majkos për debatin në fjalë, vëmendja vetiu shkon në shfaqjen e këtij deputeti, quajtur shpesh edhe politikan, si protagonist i fushatës në krah të Veliajt. A është kjo një ndjenjë detyre partie, një solidaritet socialisti, apo një angazhim që i përfshin këto të dyja, bashkë me ndjenjën qytetare? Asgjë nuk përjashtohet, por në politikë rregulli e do, që kur jep diçka, automatikisht ke kërkuar, ose je investuar për diçka tjetër. Majko para dy vjetësh u përfol si një nga emrat e mundshëm për një detyrë në OKB, për të cilën u mbështet seriozisht edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në këtë kuptim ka një farë konsensusi pas këtij emri që sheh përpara në karrierën e vet, por sidomos përmes sjelljes publike, të politikanit konstruktiv, që sheh buzagaz edhe nga kundërshtari, që jo rrallë “trimërohet” për të folur troç, apo që ia plas në mejdan “armiqve” për çështjen shqiptare, një detyrë: kjo detyrë që kërkon këto “cilësi” është ajo që sot e mban Bujar Nishani. Dhe për këtë detyrë Majko po ndërton “identikitin” e duhur përmes akteve “shembullore”. Janë vetëm dy vjet që ikin shpejt dhe caktimi i një njeriu politik, me votim të njëanshëm, si Bujar Nishani, në Presidencë, ka relaksuar politikën, që e mundonte veten me standardin kushtetues të 83 votave, apo ca më keq me atë të konsenusit. Tashmë president del nga salla e parlamentit dhe radha me sa duket u ka ardhur të majtëve, që nuk e shohin atë karrige që nga koha e Rexhep Mejdanit.
s.zaimi
Comments
Vezhgim qe qendron. Vetem nje
<p>Vezhgim qe qendron. Vetem nje gje teknike, 84 dhe jo 83 vota.</p>
Add new comment