Projektligji “Për Investimet Strategjike”, klasifikohen sektorët dhe kriteret. Për sektorë si energjia, minierat, transportet dhe turizmi, investimet duhet të jenë nga 5 mln euro deri në 50 mln euro

Postuar në 08 Prill, 2015 12:17

Qeveria ka depozituar në Kuvend, në datën 26 mars 2015, projektligjin “Për Investimet Strategjike”. Mund të veçohet në këtë projektligj të rëndësishëm neni 8, që bën klasifikimin e sektorëve strategjikë që janë: Sektori energjetik dhe minerar; sektori “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane”; sektori “Turizëm (Strukturat turistike)”; sektori “Bujqësi (Ferma e madhe bujqësore) dhe peshkim”; sektori “Zona ekonomike” dhe Zona me përparësi zhvillimi. Po kështu në këtë nen përcaktohen edhe kriteret për t’u kualifikuar si investitor strategjik, ndarë sipas procedurave; me asistencë, apo me procedurë të veçantë. Vlera e investimit për çdo sektor, në mënyrë që investitori të quhet strategjik është: Për sektorin energjetik dhe minerar dhe nënsektorët: i barabartë ose më i madh se 30 000 000 (tridhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar”; i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”. E njëjta vlerë ruhet edhe për sektorin “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane”. Për turizmin shifrat ndahen në 5 000 000 (pesë milionë) euro, që në të njëjtën kohë krijon, minimalisht, 80 vende të reja pune dhe 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”. Për variantin e dytë edhe në sektorin e Bujqësisë dhe “Zona ekonomike” mbahet vlera 50 000 000 euro. Po kështu përmes këtij projektligji krijohet edhe Komiteti i Investimeve Strategjike që do të drejtohet nga kryeministri me përbërje, ministrat përkatës sipas sektorëve.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.