Projekti “Shkupi 2014”, vazhdojnë miliona eurot për çmendurinë qeveritare, mjerim në zonat shqiptare

Vazhdojnë miliona eurot për projektin “Shkupi 2014”, mjerim në zonat shqiptare, shkruan agjencia e lajmeve “INA”. Partia në pushtet VMRO-DPMNE vazhdon të shpenzojë miliona euro para të qytetarëve për projektin “Shkupi 2014”. Shpenzimi i mjeteve buxhetore nuk ka të ndalur dhe se kjo çmenduri po ndodhë duke mos u parandaluar dhe bllokuar nga partia shqiptare e koalicionit BDI. “INA” sqaron se në buxhetin për vitin 2015 Qeveria e Maqedonisë ka caktuar 56 milionë euro për projektin «Shkupi 2014». Raporti thotë që shuma financiare për këtë projekt, në total, i kapërcen 800 milion euro. Partia maqedonase në pushtet e mohon këtë. Derisa këto miliona janë harxhuar për këtë projekt, vendbanimet shqiptare po përballen me probleme elementare jetësore. Komuna e Tetovës si një nga komunat më të mëdha akoma nuk ka rregulluar çështjen e ujësjellësit, po përballet me ndotjen masive nga një gjigant i mbetur metalurgjik dhe nuk sigurohen filtra pastrimi. Po sipas “INA”-s anashkalimi total po ndodhë edhe me Strugën si qytet turistik, që vazhdon të përballet me probleme financiare, infrastrukturë të rrënuar dhe problematika tjera. Në kushte mjerimi janë komunat rurale si Likova, Studeniçani dhe komunat e tjera që mezi mbijetojnë dhe se buxhetet e tyre shfrytëzohen vetëm për rrogat e të punësuarve.
Add new comment