Projektet ekonomike në rajon, BE nga Prishtina: 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor

Gjashtë vende të Ballkanit perëndimorë diskutuan në Prishtinë projektet ekonomike në rajon dhe veçanërisht investimet në infrastrukturë. Komisionari i Bashkimit Evropian për politikë të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian ka zotuar një miliardë euro për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturën e rajonit. Ai i bëri këto komente në konferencën ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Prishtinë, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina. Komisionari Hahn tha se vendet e rajonit do të mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta të transportit rrugor dhe hekurudhor. Ai tha se mungesa e politikave të transportit do të çonte në izolim, kështu që vendet fqinje duhet t’i heqin pengesat për të rritur bashkëpunimin. Përveç lidhjeve rrugore e hekurudhore, Ballkani Perëndimor duhet të krijojë edhe politika ndërlidhëse, tha komisionari Hahn, duke nënvizuar se zhvillimi i politikave të përbashkëta në fushën e transportit dhe energjetikës nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikojë që ato të marrin edhe mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian.
Add new comment