Politika po flet me gjuhën e shantazheve. LSI thotë se duhen sqaruar akuzat ndaj Bashës për 200 milionë eurot e zhdukura në Rrugën e Kombit

Lufta politike ka ikur nga debati për reformat dhe ballafaqimi për të mirat publike (aq sa mund të quhet i tillë në Shqipëri) dhe ka kaluar hapur në gjuhën e shantazhit, gjithsekush me akuza që i kujtojnë “burgun” kundërshtarin politik. Kështu LSI i është përgjigjur një “kërcënim”të hapur sulmit që po i bën Partia Demokratike, me të cilën ka qenë aleate në qeveri. Ylli Manjani në një intervistë për Ora Neës ka rikthyer në vëmendje çështjen për të cilën është akuzuar Lulzim Basha gjatë kohës që ishte ministër i Transporteve, duke thënë se shqiptarët janë të pasqaruar se ku kanë shkuar 200 milionë euro të rrugës Durrës-Kukës, për të cilat u akuzua Lulzim Basha.
“Rruga e Kombit duhen edhe të paktën 200 milionë euro të tjera, aq sa akuzohet z. Basha sot që i ka zhdukur. Kjo është situata që duhet të sqarojmë, duhet ta dinë mirë të gjithë shqiptarët se kjo rruga që ka kushtuar shumë, madje shumë-shumë, dhe mirë është bërë që është bërë, nuk diskutohet kjo, duhet të kishte mbaruar, duke futur në lojë edhe ato 200 milionët që i zhduku z. Basha dhe pastaj mund të kishim folur për koncesion apo jo koncesion......Këto janë para të cilat i mungojnë kësaj rruge, sepse nuk ka dhënë kush hesap në drejtësinë shqiptare për 200 milionë që mungojnë. Kjo është çështja që duhet ta sqarojmë mirë, duhet ta dijë mirë opinioni publik”- ka theksuar Manjani.
Pyetja është pse LSI nuk ka kërkuar që këto pikëpyetje të sqarohen edhe më parë, që edhe shqiptarët mos t’u rikthehen dilemave që politika i hedh në tregun politik sipas nevojave.
l.m
Add new comment