Pjesëmarrje në organizime me lejen e Beogradit, “Koha Ditore” shkruan: Kosova i thotë jo OSBE-së nën kryesimin serb

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) vazhdon të aplikojë rregulla të ashpra kur është fjala për pjesëmarrjen e Kosovës në organizimet e saj, shkruan sot “Koha Ditore”. Pjesëmarrja eventuale e zyrtarëve të Kosovës mund të bëhet vetëm me lejen e Serbisë. Personeli dhe përfaqësuesit e institucioneve duhet të kenë rreptësisht status neutral. Por Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të mos marrë pjesë me këto kushte. Gazeta “Koha Ditore” thotë se ka siguruar dokumentin pesëpikësh, me kushtet e dhëna nga Sekretariati i OSBE-së në Vjenë për përfaqësimin e zyrtarëve të Kosovës. Pikat e radhitura janë kusht nga Sekretariati i OSBE-së në Vjenë që këtë vit drejtohet nga Serbia, për pjesëmarrjen e zyrtarëve të shtetit të Kosovës në çfarëdo lloj organizimi nga Sekretariati i OSBE-së, qofshin ato konferenca, seminare, tryeza e trajnime“Koha Ditore” shkruan se është informuar që Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë përpjekje të ndryshojë këtë qasje, por nuk është pranuar nga Selia qendrore në Vjenë. Këto pika nuk aplikohen nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për aktivitetet që zhvillohen brenda Kosovës.
Add new comment