Panairi 16-të i Librit, Petrit Ymeri: Libri në ditën më të keqe, në dorë të informalitetit dhe piraterisë së paskrupullt

Vazhon të mbajë dyert hapur në Pallatin e Kongreseve Panairi i 16-të i Librit, ku marrin pjesë rreth 94 ekspozues, shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ajo çka vihet re në këtë panair është pjesëmarrja e vogël e vizitorëve, shitjet në krahasim me më parë fare mjerane të librave, interesi i ulët në promovime si dhe një numur gati 40 përqind titujsh më pak se një vit më parë. “Pirateria dhe informaliteti po e vrasin librin, u shpreh Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, në fjalën e hapjes. Kemi vite që ne u biem burive të alarmit. Kriza e pagesave është duke u rënduar gjithmonë e më shumë. Jemi në dy vite kur shitjet kanë rënë në përqindje mjaft të dukshme, 20 deri në 30 për qind. Nëse nuk ndërmerren shpejt politika publike për të mbështetur libraritë, do të mbeten fare pak prej tyre dhe aksesi te libri do të ulet”, tha Ymeri. Sipas tij, fondet e dhëna për librin kanë qenë gjithnjë jo transparente dhe ka kërkuar nga qeveria e re një vëmendje ndaj librit. “E gjithë bota e letrave sot flet për të ulur TVSH mbi ebook-un, por në Shqipëri përveç faktit të mungesës së strukturës për këtë produkt të ri libror, mungon besimi i plotë për shkak të piraterisë, dukuri e cila po mbyt prej disa vitesh botimet shqiptare dhe në raste të formës alternative, të ebook të gjithë mendojmë: a do të piratohet edhe ky produkt? Në një kohë kur në Europë përpiqen të ulin TVSH-në mbi ebook-un, te ne kemi ende këtë tatim më të lartin në Europë me 20 për qind, një absurd që nuk kemi ditur kurrë ta kuptojmë”, tha Ymeri.
Zh.
Add new comment