Pamjet nxjerrin zbuluar policinë. Pas pretekstit qesharak për “rambon” e Kukësit, Ministria e Brendshme pezullon Shefin e Krimeve dhe një inspektor

Reagimi jashtë çdo norme ligjore dhe profesionale i Shefit të Krimeve në Kukës, i cili nxorri armën gjatë protestës së disa banorëve për energjinë elektrike nuk mund të mbulohej as me shoshë dhe as me tregime sqaruese nga policia. Pas incidentit ajo e justifikoi në mënyrë qesharake veprimin e punonjësit të saj, duke pretenduar se banorët kishin tentuar t’i merrnin pistoletën, çka e detyroi atë ta nxirrte nga brezi dhe t’ua drejtonte protestuesve. “Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga perosnat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma”-thuhej në njoftimin e djeshëm të policisë. Por pamjet e nxorrën zbuluar policinë, pasi në asnjë prej filmimeve nuk faktohej pretendimi i saj. Për të ndrequr sadopak imazhin e krijuar nga ky incident, Ministria e Brendshme me një njoftim të dytë vendosi të pezullojë Shefin e Krimeve të Kukësit dhe një inspektor. “Nga analiza e bërë për veprimet në zbatim të procedurave standarte për parandalimin e bllokimit të rrugës nga ana e punonjësve të policisë ( vepër penale kjo e parashikuar nga neneni 293 i Kodit Penal) ka rezultuar se nuk janë përmbushur me korrektesë procedurat standarte nga punonjës të veçantë të policisë. Për këtë Drejtori i Policisë së Qarkut ka vendosur pezullimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Kukësit Komisar Albion Xhitoni, si dhe të ndihmëspecialistit po në këtë seksion Inspektor Shkelzen Neza”-citohet në deklartatën e Ministrisë së Brendshme. Policia thotë se është e motivuar për zbatimin e ligjit ruajtjen e rendit e qetësisë publike , si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore këdo që tenton të shkelë ligjin.
l.m
Add new comment