Pak orë para protestës së opozitës, Gruevski këmbëngul: “Nuk jap dorëheqjen dhe nuk pranoj qeveri teknike”

Pak orë para mbajtjes së protestës nga opozita, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka shprehur vendosmërinë për të mos dhënë dorëheqjen e për të mos pranuar kërkesën për qeveri teknike. Ai nuk ka ngurruar t’i cilësojë tensionet politike si skenar nga jashtë, që ka si synim destabilizimin e vendit. Dorëheqjen ai e ka cilësuar si “akt qyqar”.
“Dorëheqje nuk kam ndër mend të jap, e as që do të pranoj qeveri kalimtare. Kam obligim që të përballem me këtë që po e bën lideri i opozitës, Zoran Zaevi, të përballem me këtë dhe të gjej zgjidhje që Maqedonia të ecë përpara. Dhe do të ecë përpara. Zoran Zaevi pesë herë më tha se materialet i ka marrë nga një shërbim i huaj i kundërzbulimit. Domethënë se është i vetëdijshëm se dikush nga jashtë po e krijon këtë skenar”, ka thënë Gruevski për televizionin “Sitel”, raportojnë mediat shqiptare në Maqedoni. Në vijim të intervistës, kryeministri ka deklaruar se është për gjetjen e një zgjidhje për daljen e vendit nga kriza por jo përmes dhunës.
http://www.zhurnal.mk/content/?id=1551710245154
n.k
Add new comment