Përgjime e tabulate telefonike, provat e Prokurorisë kundër Doshit, Frrokut e Bamit

Prokuroria e Përgjithshme do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë brenda 48 orëve për të vlerësuar ndalimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Sipas “Top Channel” jozyrtarisht mësohet se ndaj Tom Doshit prokurorët do të kërkojnë vlerësimin e masës në bazë të akuzës për kallëzim të rremë, kanosje dhe deklarim i rremë, ndërsa për Mark Frrokun kallëzim i rremë dhe deklarim i rremë. Po ashtu mësohet se për të mos ndarë çështjen, po në Gjykatën e Lartë do të kërkohet edhe masa e sigurisë për Durim Bamin, i cili fare mirë mund të gjykohej edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë. Dosja e Prokurorisë në gjykatë bazohet tek regjistrimet e bëra nga ballafaqimet e shumta te Krimet e Rënda, por burimet thonë se pjesë e kësaj dosje janë edhe disa përgjime dhe tabulate telefonike. Mësohet gjithashtu se prokurorët kanë kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë nga paraburgimi ku mbahet Durim Bami, kjo pas deklaratave të bëra nga deputeti Tom Doshi një ditë më parë në Këshillin e Mandateve ku pretendonte se Bami është kërcënuar me jetë për të ndryshuar dëshminë.
Add new comment