Një Shqipëri e Madhe e boshatisur. Një opinion në “Euobserver” për “paradoksin” shqiptar të nacionalizmit në shtete të dështuara

Postuar në 17 Prill, 2015 04:49

“Euobserver” i ka lënë sot hapësirë opinionit të Fedia Pavloviç, student filozofie në Universitetin e Leuvenit. Pavloviç shkruan për idenë e Shqipërisë së Madhe, pompuar së fundmi në media nga një deklaratë e kryeministrit shqiptar. Nuk thuhet se cilat janë kredencialet e Pavloviç në njohjen e realiteteve shqiptare, por një pikë e opinionit të tij, është objektive. Dhe kjo është diferenca mes shpalljeve të tilla për bashkim territorial me përvojën shtetërore dhe menaxhuese në Shqipëri dhe në Kosovë. Matës më i mirë për këtë është rritja e numrit të emigrantëve nga të dyja vendet, çka dëshmon dështimin e politikës. “Nëse dëshira publike e Ramës dhe e Thaçit bëhet realitet dhe kufijtë e BE-së do të hapeshin tërësisht, është e lehtë të imagjinohet sesa do të boshatisej territori i Shqipërisë së Madhe”, shkruan Pavloviç. Opinioni i adresohet publikut europian, që mund të lexojë këtu me shqetësim se pas tullumbaceve të Ramës dhe Thaçit, qëndron një minë e re emigracioni, e cila siç vë re me të drejtë artikullshkruesi, është në vetvete një “votë mosbesimi për qeveritë”. Emigracioni është fakt në Shqipëri dhe në Kosovë, madje ai perceptohet qartë si dëshirë e një pjese të madhe të popullsisë. Por nëse studenti i fillozofisë, indirekt apelon për një “izolim” të ri të botës shqiptare, në emër të shpërthimit migrator, në Tiranë, qeveria vijon të flasë për mashtrime nga agjenci turistike. Krijohet përshtypja se qytetarët shqiptarë janë mbyllur në çarkun e refuzimit europian dhe paaftësisë së qeverive të tyre për të lehtësuar situatën, apo për ta pranuar dhe menaxhuar atë. Është një tension që do të kërkojë shfryrjen e vet, kuptohet në pikën më të dobët dhe sigurisht, në kohën që jetojmë qeveria shqiptare, që e ka ekzistencën veresie, nuk ka më luksin e dikurshëm kur thjesht bënte spektatorin, hapte portet dhe linte njerëzit të merrnin arratinë.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.