Një detaj nga kontrata në diskutim me kinezët për Rrugën e Arbrit. Pagesa nga shteti në rastin kur qarkullimi i automjeteve do të jetë nën një nivel të caktuar

Qeveria është në diskutime me kompanine kineze “China State Construction Company” për kontratën konncesionare të ndërtimit dhe shfrytëzimit të Rrugës së Arbrit. Ajo siç është bërë publike po negociohet me një procedurë të veçantë me qëllim mundësinë e realizimit më një kohë të shkurtër. Ministri Haxhinasto teksa prezantoi një ditë më parë projektligjin për Strategjinë e Taksimit Rrugor që do të mundësohet në bashkëpunim me BERZH, zbardhi edhe detaje të diskutimit që po bëhet me kinezët e “China State Construction Company” për ndërtimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit. Haxhinasto tha se qeveria shqiptare përmes një garancie jo sovrane do të ketë detyrimin t’i paguaj kompanisë kineze marzhin e fitimit nëse niveli i qarkullimit të automjeteve në këtë rrugë nuk do të jetë ai që parashikohet. “Sa i takon Rrugës së Arbrit mund të them se gjërat do të zhvillohen hap pas hapi. Së pari do të diskutohet në parlament një procedurë e veçantë për dhënien me koncesion të kësaj rruge, pasi kompania ka sjellë financimin vetë. Sa i takon elementëve të ndryshëm që ju përmendët në kontratë, e cila nuk ka marrë formën përfundimtare, por do të jetë objekt diskutimi mes 3 ministrive, Ministrisë së Transporteve, Ministrisë së Financave, asaj të Ekonomisë dhe kompanisë kineze. Është garantuar një formë e re garancie jo sovrane, për arsye që ne e dimë se s’mund të marrim borxhe pafundësisht për të respektuar nivelin e borxhit, por do të marrim atë që quhet garancia e trafikut. Kjo garanci do të jepet si pagesë në rastin kur niveli i qarkullimit të automjeteve do të jetë nën një nivel të caktuar, ose më mirë deri në atë nivel që garantohet pika e kthimit të investimit. Nën atë nivel, shteti angazhohet t’i kthejë investimin kompanisë. Edhe për elementin tjetër të shumës në fund të koncesionit jemi para dy varianteve sesa do të zgjasë periudha”-është shprehur Haxhinasto në Komisionion e Ekonomisë.Ndërtimi i Rrugës së Arbrit shihet me leverdi nga kinezët, të cilët kanë treguar interes edhe për futjen në tregun e mineraleve në këtë zonë.
l.m
Add new comment