Nga Shqipëria virtuale te përparimi virtual

Janë të shumtë ata që na flasin për Shqipërinë e sotme. Por janë të paktë ata që e paraqesin mbi bazë të vërtetash, me shifra, fakte e analiza, me krahasime e ndryshimet në kohë, madje dhe me krahasime me vendet e Ballkanit dhe ato të BE-së, duke dhënë dhe parashikimet afatgjatë të qeverisë dhe realizimet e planeve. Shumica e politikanëve tanë dhe analista-sejmenët e tyre flasin për Shqipërinë, duke rrahur gjoksin, thonë se po e bëjnë apo e ribëjnë, kuptohet, ashtu si e kanë në letrat e tyre, në premtimet elektorale, në fantazinë e tyre apo qoftë dhe në ëndrrat e tyre, me 24 orë ujë e drita, me rrugë evropiane, me gjelbërim, pa plehra dhe si të parën e turizmit botëror; që nesër nuk do të ketë të varfër, të tjerë na thonë se nuk do ketë taksa, do kemi tram, gjelbërim e kopshte me lule e plotë e plotë çudira të tjera, ligjet më të mira, kushtetutën më të mirë..., në shumicën e rasteve me fraza të përkthyera keq nga anglishtja. Të gjithë ata shtrëngojnë dhëmbët që të mos ju shpëtojnë shprehjet e dikurshme “që na ka zili gjithë bota” apo “jemi kështjellë e pamposhtur(nga krizat) në Adriatik “ e “që hedhim valle në gojë të ujkut” e të tjera si këto.
Për fatin e tyre të keq duket se shqiptarët nuk i preokupon e tashmja, sepse janë të përfshirë në një “luftë” të pafund me kundërshtarin politik dhe tmerrësisht indiferent për gjendjen reale të vendit, sikur po të zhdukin atë (lexo opozitën) punët do ecin shumë më mirë. Ne bëjmë sikur nuk e dimë që është detyra e pozitës ta ndryshoj vendin e ta përparoj atë kur nuk ka ecuri. E kjo aq më tepër kur “pozita”i ka me bollëk votat për këtë, që nuk po i përdor e nuk po shohim alternativa, por lëvdata deri në osana të lidershipit, për rol rajonal (kur nuk rregullojmë dot shtëpinë tonë) dhe që janë të pazëvendësueshëm. Dhe përparimi matet me përmirësim të gjendjes ekonomike të familjeve tona, me siguri më të madhe për jetën, me një cilësi më të mirë të jetës, me qytetërim e pa kundërvënie me të ndryshmit politikisht ose jo. Të gjitha këto realizohen me punë dhe jo me konferenca e vizita, me fjalime, me cicërima e fejsbuk e me zbukurim të realitetit. Ato janë të matshme e të kuptueshme lehtësisht nga qytetarët.
Bosët e politikës dhe ekonomisë shqiptare e dinë mirë “dobinë” e konfliktualitetit politik e polarizimit të tejskajshëm të shoqërisë shqiptare për të hequr vëmendjen nga problemet reale të vendit, duke i bërë njerëzit tifozë, domethënë të shajnë ata që nuk janë të qeverisë, e të lavdërojnë gjithçka “që bënë” Qeverinë, gati si tek përralla e Andersenit për mbretin lakuriq dhe e kundërta mund të thuhet për opozitën. Shikoni rrjetet sociale e komentet në gazetat on-line për ta kuptuar këtë dukuri “në kufijtë e marrëzisë e të amoralitetit” e që duhet të na preokupoj. Për fat të keq në këtë klimë kundërvënie ekstreme vlerësohen ata që shajnë hasmët e shefave apo partisë e po aq ata që lavdërojnë liderët, sidomos e para, veçanërisht kur bëhet me zë të lartë në TV, që të bën dhe ministër, deputet e të pasur. Kjo mënyrë absurde apo negative angazhimi e gjykimi politik ka shmangur siç thamë vëmendjen e qytetarëve nga problemet jetike për ta dhe vendin, ka mënjanuar çdo debat real, ka bërë të pa nevojshme programet e partive e zgjedhjet e lira, si ato të partive dhe ato politike, ka shtuar dozën e premtimeve boshe e të rrema, krijoi modën e investimeve të parakohshme e jo efektive në infrastrukturë apo dhe disa njëkohësisht, kur nuk janë siguruar fondet, vetëm e vetëm për inaugurime “festive” punimesh që zgjatin vite duke mos i bërë frytdhënëse fondet e shpenzuara, ndërsa përpara zgjedhjeve vendore rindërtimin e një sheshi apo “pedonale” për çdo qytet.
Ata harrojnë se kur synojnë arbitraritetin ose diktaturën, nesër do tu urojmë vdekjen sa më parë, e do t’ia u a festojmë. Ata harrojnë se ne, populli pa poste qeveritare e partiake, jetojmë çdo çast në Shqipërinë reale atë të përditshmen, me të këqijat dhe të mirat, me suksese e dështime, me vështirësi, dhimbje dhe gëzime.
E ndërkohë pak janë ata që përpiqen të na e ndryshojnë për mirë Shqipërinë, sepse të kesh ëndrra për mirë nuk është mëkat, po qe se punon për realizimin e tyre. Për fat të keq autorët e Shqipërisë virtuale kontribuojnë për të kundërtën. Qëllimi i tyre i vetëm është sundimi arbitrar e përfitimi personal.
Pavarësisht se në këtë lëmë dallohen liderët e partive të mëdha dhe sejmenët më të afërt të klanit apo familjes drejtuese, nuk janë të pakët ata që na flasin për një Shqipëri të viteve të kaluara, të cilën ne që jetojmë këtu nuk e kemi parë gjëkundi (për mirë apo për keq) sepse secili prej nesh në kryeneçësinë e vet ka një “teori” e këndvështrim personal e shpjegim të dukurive dhe ndodhive. Kjo po bën, që edhe historia që po shkruhet, nuk pranohet nga askush edhe propozimet për ndryshim sidomos kur janë të hidhura kundërshtohen apriori.
Po kontribuon në këtë pështjellim dhe fakti që historia bashkëkohëse po shkruhet nga njerëz të politizuar, madje me autorë të emëruar si dikur, që përfitojnë nga mos botimi i dokumentacionit historik, i fakteve i shifrave, i datave. Secili ofron mendimet dhe të dhënat e tija pa i krahasuar me të tjerët kur ka kundërshti e dallime, për të mos thënë që jepen shifra që konfirmojnë përfundimet e teoritë e hartuara më parë, sipas oreksit të qeverisë së radhës.
Duhet të pranojmë se nuk vjen ndryshimi duke kaluar nga reklamimi deri dje i një Shqipërie virtuale e brohoritur sot në një përparim virtual, pa punësim, kur varfëria sa vjen e thellohet tregu po ngushtohet dhe jeta e shumicës përherë e më e vështirë. Kjo gjendje duhet të ndryshoj sa më parë sepse duke u mburrur me shifra të sajuara, me takime pa vlerë në mos të pavërteta, e me fjalime për suksese imagjinare e krijimit të një “fasade të bukur” që fsheh realitetin e zymtë të jetës dhe qyteteve, rrezikohemi të përfundojmë edhe më keq në kushtet e një krize, të cilës dhe Evropa nuk po i bën ballë pa humbje e sakrifica.
Për të ndryshuar Shqipëria duhet sa më parë të analizojmë me hollësi gjendjen e ekonomike të vendit mbi bazën e shifrave reale, që duhet të bëhen publike e të shpallen në kohë, por edhe duke i krahasuar me vendet e tjera, së pari me fqinjët e pastaj me ato të BE, duke ndryshuar rrënjësisht sistemin fiskal (të mbroj të varfrit e bizneset familjare e ato të vogla, konsumin, por jo të pasurit e bizneset e mëdha si gjer më sot), duke ulur shpenzimet e administratës, zhbërë koncesionet korruptive, duke zhdukur monopolet (naftë, telekomunikacion, medikamente e tj.) duke mos i falur pasuritë kombëtare por duke kërkuar fitim prej tyre, duke rritur prodhimin vendas, duke nxitur punësimin dhe rritur konsumin, duke i siguruar shqiptarëve drejtësi e duke luftuar realisht korrupsionin dhe evazionin fiskal e klientelizmin e familjes dhe bashkëpartiakëve. E jo vetëm këto por dhe gjendjen e mjeruar të arsimit e shëndetësisë, ujësjellësve e kanalizimit, mjedisit e bregdetit. E menjëherë pas kësaj të merren masat e nevojshme për përmbysjen për mirë të gjendjes, por jo me goditje të përqendruar e sa për dukje me bojatisje.
Pa u kthyer në një ekonomi tregu e në shtetin e së drejtës fundi do të jetë tragjik. Kokëderrësia dhe mos dëgjimi i kritikave ka prurë dhe më parë katastrofë në Shqipëri, nuk ka pse ta provojmë edhe njëherë; po kështu dhe “shpikja” e formave të padëgjuara të shtetit.
E të gjitha këto kërkojnë reforma të thella duke filluar nga Kushtetuta, sistemi i drejtësisë, organizimi administrativ i territorit e autonomia vendore, ligji i zgjedhjeve aspak demokratik dhe referendumet, që t’i kthejmë sovranitetin popullit e mjaft të tjera, për fushat që i përmendëm më lart e jo vetëm ato, madje edhe demokratizimin e vetë partive. Ky reformim apo përsosje e asaj që quhet arkitektura e shtetit dhe sistemi shtetëror gjithnjë sipas modeleve të demokracive perëndimore, nuk mund të bëhet nga një parti e vetme por duhet të jetë, sipas fjalës sot në modë, gjithëpërfshirës.
Ndryshimet duhen bërë përpara se të jetë vonë, e duhet të ndryshojnë jo vetëm politikat por edhe ne, në se nuk duam të bëhemi dhe më keq..
Keno Kotorri
Tiranë 23.10.2014

Add new comment