Naço tek të “Të Paekspozuarit”: Hetim dhe konfiskim pasurisë së zyrtarëve të lartë, përfshi nga Presidenti

“Të jetosh me padrejtësinë”, ishte kjo tema e emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në “Ora News”. Të ftuar në studio ishin Nasip Naço Ministër i Drejtësisë, Spartak Ngjela avokat, Elvis Çefa ish-nën.kryetari i KLD dhe Maksim Haxhia kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatëve. Në pjesën e parë të emisionit u transmetua një material filmik, për ngjarjet dhe akuzat kryesore të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, rolin e politikës dhe prokurorisë.
Pas materialit ministri Naço deklaroi se kur mori detyrën dy vjet më parë konstatoi se sistemi i drejtësisë nuk funksiononte siç duhet. I pyetur nga gazetari Rakipi se përse në 2 vjet, nuk ka pasur personalitete të larta të akuzuar, avokat Spartak Ngjela deklaroi se Prokuroria nuk është një institucion i besuar dhe nuk ka vullnetin për ta bërë këtë. Ministri Nasip Naço deklaroi se do të hetohen pasuritë e vëna nga të gjithë zyrtarët e lartë, duke filluar që nga Presidenti. “Ne do t’ua konfiksojmë pasuritë që i kanë vënë në mënyrë të padrejtë. Do i hetojmë të gjithë”, ka thënë Naço.
“Organet e drejtësisë prokuroria dhe gjykata kanë 2 presione të mëdha: korrupsionin ose blerjen me para nga poshtë dhe presionin politik nga lart. Nuk u shpëtojnë dot të dyve”, ka deklaruar Ngjela. Ai shtoi se sistemi legal është aktualisht në krizë. “Ne e kemi të mirëqënë faktin se sistemi i drejtësisë është i korruptuar. Këtë e kanë konstatuar të huajt. Duhet reformë”, ka deklaruar Ngjela.
Duke u ndalur te korrupsioni në drejtësi, Maksim Haxhia ka argumentuar se korrupsioni është pjesë e shoqërisë shqiptare. “Për mua difekti qëndron në burim, te politika shqiptare që ka çelësin e krimit të drejtësisë, emërimit të drejtësisë, analizës dhe reformës së drejtësisë”, ka thënë Haxhia.
Ndërsa ish-nënkryetari i KLD-së Çefa ka deklaruar se politika nuk është ende gati për të krijuar një sistem drejtësie të konsoliduar. “Politika dhe sjellja e politikës në raport me drejtësinë është faktori nr 1. Ende sot politika nuk dëshiron të ketë një sistem drejtësie të konsoliduar dhe të larguar nga ajo. Mendoj se është e rëndësishme të mos ngatërrojmë momentin e publicitetit politik me akuzat dhe faktet konkrete”,ka thënë Çefa.
http://www.oranews.tv/vendi/te-paekspozuarit-te-jetosh-me-padrejtesine/
Add new comment