Minxhozi në “Top Channel”: Të papranueshme vonesat për Tiranën. “21 Janari” rrezikon të deformohet

Postuar në 10 Prill, 2015 15:24

Nga studio e lajmeve të “Top Channel” analisti Skënder Minxhozi, duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatorit Ilir Paço, Minxhozi ka shprehur pakënaqësinë e tij mbi vonesat e dy partive kryesore të skenës politike shqiptare për kandidatët për Bashkinë e Tiranës. "Procesi më duket me vonesë, palët janë vonë. Kjo shpjegohet nga çështjet e tjera të politikës, si afera Doshi-Frroku. Sa i përket palës qeverisëse, që nga Shkodra e deri në bashkitë jugore nuk ka pasur surpriza. Janë kryetarë bashkish të ricikluar që nuk do të doja të ishin. Nga ana tjetër do të preferoja të dija cili është kandidati i opozitës për Tiranën. Opozita është vonuar edhe më shumë. Kryetari i saj Lulzim Basha ka bërë gafa, si kandidimi i Xhelal Mziut, që u dënua me 2 vjet burg, për Bashkinë e Kamzës. Nuk ka një emër as për Bashkinë e Durrësit, për të cilën ka një kaos të madh, duke parë edhe insistimin e PR. Ndërkohë që jJanë edhe partitë e vogla që janë afruar me Ramën dhe i kanë ikur opozitës”, tha Minxhozi.

Ndërsa sa i takon padisë së paralajmëruar nga ministri i Brendshëm në adresë të liderit të opozitës Lulzim Basha lidhur me çështjen e 21 Janarit, Minxhozi ka vlerësuar se një veprim i tillë në kohë fushate rrezikon të deformojë çështjen. “Natyrisht që padia do rrisë tensionet politike dhe do tentojë të ndikojë në zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. Jam i mendimit se për këtë çështje pala qeverisëse është shumë vonë. Kjo çështje nuk gjendet në sirtaret e gardës, edhe pse duhet të shkohet edhe aty. Kjo çështje ndodhet në investigimin që autoritetet amerikane kanë bërë për të. Ndërkohë, duke qenë se jemi në fushatë ka rrezik që kjo çështje të futet në ingranazhet e fushatës dhe të dëmtohet”, tha  Skënder Minxhozi në  “Top Channel”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.