Ministria e Financave e interpreton si çështje vijash në buxhet parashikimin e FMN-së për rritjen borxhit publik tej objektivit gjatë 2015

Në përpjekje për të shpjeguar parashikimin e FMN-së për rritjen e borxhit publik tej objektivave të qeverisë për vitin 2015, Ministria e Financave është munduar të japë disa argumente që sipas saj nuk janë marrë në konsideratë nga mediat kur kanë analizuar raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ministria pranon se projeksioni i borxhit është më shumë se parashikimi, por sipas saj kjo nuk lidhet me thellimin e defiçitit buxhetor, pasi pasqyrimi i bërë nga FMN reflekton një rritje fiktive të shpenzimeve për shkak të kredive për sektorin e energjisë. (….ndërkohë që FMN këto garanci i klasifikon si shpenzime mbi vijën e buxhetit me një vlerë prej 13.4 miliardë lekë (ose rreth 0.9% e PBB), Ministria e Financave këtë vlerë e klasifikon poshtë vijës së buxhetit, direkt si pjesë përbërëse e stokut të borxhit për vitin 2015 në përputhje me argumentet e saj për aq kohë sa nuk janë shpenzime të mirëfillta të buxhetit..) thuhet në sqarimin e Ministrisë së Financave. Një tjetër argument I dikasterit të Canit është se shkaku i rritjes së projeksionit të borxhit për 2015 nga FMN në raportin e saj të fundit është ndryshimi i kursit nominal të këmbimit, i cili ndikon stokun e borxhit që në vitin 2014 e, rrjedhimisht, edhe për vitin 2015 dhe është, gjithashtu, ndryshimi i vlerës nominale të PBB së projektuar për vitin 2015, e cila është rishikuar në ulje si rrjedhojë e rishikimit në ulje të deflatorit të PBB. Ministria e Financave thotë se ka qenë më konservatore se sa FMN për çështjen e borxhit. “Përgjithësisht, Ministria e Financave ka projektuar një shifër më të lartë të borxhit publik se sa ka projektuar FMN në të njëjtat periudha kohore. Konkretisht, nëse i referohemi Kuadrit të janarit 2015 të Ministrisë së Financave dhe raportit të FMN të publikuar në shkurt 2015 (pas shqyrtimit të dytë e të tretë të programit), MF projekton një nivel borxhi prej 72% për vitin 2014 dhe 71.8% për vitin 2015, ndërsa FMN projekton respektivisht një nivel borxhi 71% për 2014 dhe 70.8% për vitin 2015”-thuhet në njoftimin e Minsitrisë së Financave.
l.m
Add new comment