Meta: Le t’i miratojmë tre ligjet, por me kusht që të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve

Postuar në 09 Maj, 2013 11:54

“Tre ligjet e integrimit” ka qenë refreni i politikës shqiptare prej muajsh, dhe ky refren nuk mund të mos këndohej sot, më 9 maj, ditën e Europës. I pari ka folur Malaj, e pastaj Meta, dhe që të dy e kanë lidhur me simbolikën e 9 majit.

Meta e ka korrektuar qëndrimin e vet, dhe e ka njëjtësuar me atë të opozitës në tërësi. Ai ka bërë apel që të votohen tre ligjet (1. Ligji mbi Gjykatnë e Lartë; 2. Ligji mbi Nëpunësin Civil; 3. Rregullorja e Kuvendit), por ka vënë një kusht:

“Është për të ardhur keq që edhe ditën e sotme në vend që të merrej një hap konkret bëmë një retorikë të përsëritur akuzash për fajësime për bllokimin e këtij procesi. Prej ditësh LSI-ja ka propozuar një kompromis shumë të arsyeshëm dhe konsiston në miratimin e tre ligjeve brenda legjislaturës me të vetmin ndryshim, që të hynë në fuqi me parlamentin e ri”.

Pse vihet ky kusht? “Vihet që mos të abuzohet me to në kuadër të zgjedhjeve elektorale”, thotë Meta, që pas kësaj e ka bërë propozimin shumë konkret: “Ftoj kreun e PD-së e të PS-së dhe kolegë të tjerë që të takohemi deri të enjten në orën 10 për të bashkërenduar idetë, duke hequr dorë nga akuzat që nuk prodhojnë progres në drejtim të marrjes së statusit kandidat”.

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.