Meksi në “Gazeta Shqiptare” kundërshton projektin për ta kthyer hotel “Dajtin” në shtojcë të Bankës së Shqipërisë: Jo zyra, është absurde

Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, prof. Aleksandër Meksi, ishkryeministër,kundërshton kthimin e hotel “Dajtit” në zyra për Bankën e Shqipërisë. “Duke qenë se jam i fushës së arkitekturës dhe i fushës së monumenteve nuk më shkonte ndërmend kurrë që një godinë të bërë për hotel, ta kthejmë në zyrë. E kjo, në një kohë që për zyra mund të gjesh sa të duash mundësi të tjera për të ndërtuar. Ai është një hotel”, thotë Meksi për “Gazeta Shqiptare” . Sipas tij, “për ne që kemi lindur dhe jemi rritur në Tiranë, ai është gjithnjë hotel “Dajti”, qendër referimi e Tiranës, siç është xhamia, siç ishte Pazari i Vjetër, siç është stadiumi apo universiteti. Këto pra janë qendra që lidhen me kujtesën historike të qytetit të Tiranës. Çdo gjë tjetër është absurditet dhe fjalë e tepërt”. Pasi kundërshton projektin e paraqitur nga Banka e Shqipërisë për përshtatjen e hotelit të ndërtuar në vitet 1930 në zyra, Meksi kujton një projekt të hershëm për mbajtjen në jetë të kësaj godine, që është monument kulture i kategorisë së dytë. Qeveria e krijuar në vitin 1996 ngarkoi sekretarin e shtetit për turizmin, Robert Çejkun, që të paraqiste planin e privatizimit të të gjitha hoteleve turistike, që ishin pronë shtetërore. Me sa mbaj mend unë, ideja për hotel “Dajtin” ishte që të privatizohej”, thotë Meksi. Ai sqaron se ai që e privatizonte, duhet të kishte para edhe për ta rikonstruktuar, edhe për të zgjeruar pjesën e mbrapme dhe do të kthehej le të themi në një qendër konferencash. Veçse ideja dukej se synonte jo vetëm mostjetërsimin e funksionit të godinës, por edhe mirëmbajtjen e funksionimin e tij në vijim, siç kishte qenë përgjatë dekadave. “Ideja ishte që 80% do të privatizohej nga privati, ndërsa 20% do t’i mbetej shtetit, pra Shërbimeve Qeveritare në mënyrë që delegacionet e huaja që vinin për llogari të Shqipërisë, të rendit të dytë po themi, të mos dërgoheshin nëpër hotelet e tjera, por të dërgoheshin te hotel “Dajti”. Pra, 20% e aksioneve që mbante Drejtoria e Shërbimeve qeveritare, nuk do t’i merrte kurrë të ardhura, por do t’i mbetej një kapital aty, për të shlyer këto detyrime të sajat, meqë nuk kishte vila më si dikur, pra nuk kishte më vila rezidenca qeveritare. Ky ishte plani ynë për të dhe për mendimin tim duhet kthyer në hotel”, nënvizon Meksi.
Add new comment