Media e varur dhe e kontrolluar nga biznesi. Raport negativ i Freedom House për Shqipërinë

Shqipëria shënon rënie në lirinë e shtypit për vitin 2014. Raporti vjetor i Freedom House njofton për këtë realitet, që duket se ka prekur botën në tërësi për vitin që lamë pas. Elen Aghekyan, eksperte në organizatë, ka folur për “Zërin e Amerikës”, ku ka nënvizuar situatën e medias në Shqipëri, larg pavarësisë së vërtetë. “Shumë nga ligjet në Shqipëri përputhen me standardet e mira evropiane, por zakonisht ajo që mungon është zbatimi. Mungojnë aftësitë strukturore për zbatimin e ligjeve të tilla, si ai për lirinë e informimit. Problemi i vërtetë është te sistemi juridik, i cili nuk është i fortë sa duhet. Bizneset e mëdha kontrollojnë tregun e medias, i cili është shumë i vogël. Shumë nga institucionet e medias janë ende mjaft të reja dhe pa aftësi të forta pavarësie”, ka deklaruar ajo. Aghekyan ka bërë thirrje për ligje të reja transparencë në mënyrë që të kuptohet se kush disponon mediat. Po kështu ajo ka kritikuar edhe shoqërinë civile, që është faktor kyç për një media të fortë.
s.z
Add new comment