M. Nano i përgjigjet Medic-it

Postuar në 17 Gusht, 2011 12:16

Shikoni ç’më shkruan një lexues me emrin virtual Medic në fund të shkrimit tim me titull ‘Të gjithë duan të takohen me Eliza Dushkun; edhe unë’: “Z. Nano, i kam lexuar me vëmendje shkrimet e tua dhe më vjen keq për negativitetin e lartë të tyre. Do të shkruash ndonjëherë një shkrim pozitiv për qeverinë?”

Ka të drejtë? Po, ka të drejtë. Në repertoire-in e shkrimeve të mija duhet të lodhesh për të gjetur ndonjë gjë në favor të ndonjë aksioni qeveritar. Ka dy arsye. Së pari, unë kam zgjedhur të bëj gazetarinë kritike. E di, nuk është kjo e vetmja gazetari që mund të bëhet; përkundrazi, në vende të tjera (sidozot, në SHBA), ka plot gazetarë që s’e kanë për gjë të mbështesin qeverinë; por unë jam me idenë, se qasja gazetareske më e e dobishme e më shëndetshme në Shqipërinë e këtyre kohëve është ajo kritike. Dhe tehun e kritikës nuk është se e drejtoj vetëm kundër qeverisë. Duhet të lodheni shumë, gjithashtu, të gjeni ndonjë shkrim timin pozitiv për opozitën (me përjashtim të deklarimit të votës në favor të opozitës në prag zgjedhjesh). Unë nuk e bëj dot gazetarinë e lajkave e të ledhatimeve. Nuk mburrem me këtë. Thjesht tregoj se si jam.

Së dyti, ju duhet ta dini se unë jam me idenë që përballë nuk kemi një qeveri, por një regjim. Dhe ata që janë në krye të këtij regjimi nuk ndalen përpara asgjëje, kur vjen puna të mbrojnë pushtetin që kanë. Mund të përmendja vjedhjen e votave në Tiranë më 8 maj, si provën më të freskët të egzistencës së një regjimi, por po përmend më të rëndën: më 21 janar të vitit 2011 vranë katër vetë të parrezikshëm, të pambrojtur, të pafajshëm. Nuk ishin të tillë ata që mbetën të vrarë? Ishin banditë të rrezikshëm? Atëherë le të na thonë cilët janë vrasësit, që t’i dekorojmë. Në mos, të na thonë vrasësit, që t’i dënojmë. Por s’bëjnë as njërën, as tjetrën. Regjimet kështu janë.

Qëndrimin kritik ndaj qeverisë në rrethana të tilla e shoh edhe si qëndrim patriotik, përveç të tjerash. Ka një frazë shumë të saktë, që e ka thënë dikush: patriot është ai që në radhë të parë bën çmos të mbrojë vendin prej qeverisë së vet. Këtë jam përpjekur të bëj si gazetar. Dhe me këtë po, që mburrem.

E dini Medic? Për një gjë mund t’i heq veshin vetes: në ndonjë rast vë lupën zmadhuese, teksa jam duke kqyrur ndonjë zullum të qeverisë. Kjo po, që është e tepërt. Por kur je duke luftuar me një regjim, edhe mund të falet ndonjë teprim i këtij lloji.

Comments

Submitted by sokol balliu (not verified) on

Mos u mburr aq shume o zoti Nano, ma le ne te tjereve ta bejme kete gje. Me ato qe lexojme nuk je as gazetar e as patriot. Vetem po ta mendosh qe merr kohen dhe i pergjigjesh nje pyetjeje te cpifur si kjo: a do shkruash dicka pozitive per Berishen? E para punes, qe shkruan qe cke me te, se te gjitha ato qe ua pervesh cdo dite opozites ne mullirin e Saliut cojne uje. Dhe tjetra, ne demokraci, vetem profiteur-et mburrin e lavderojne qeverite. Thua t'ja kesh bere vete vetes kete pyetje?

Submitted by Gladiola (not verified) on

Mund edhe te cojne uje ne mullirin e Rames kritikat ndaj tij sikur te reflektoje e te ndermarre veprime per tu korrigjuar...po der sa te na i kete fajin ai qe hedh drite mbi gabimet e jo "gabimtari" as kemi per tu bere ndonjehere ne!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.