Lulzim Basha nis ditën e parë si opozitar që nga viti 2005

Lulzim Basha ka sqaruar sot zyrtarisht dilemën e rikandidimit për bashkinë e Tiranës, duke bërë të qartë se ai nuk do të jetë pjesë e garës së 21 qershorit. Meqenëse është thënë shpesh se ai po ndjek rrugën e Edi Ramës në politikë, vlen të kujtohet se edhe Basha po bën gati 12 vjet në karrige, qëkurse bujti në politikë në vitin 2005. Për këtë arsye dita e sotme mund të konsiderohet si dita e parë e Lulzim Bashës si opozitar. Po çfarë lë si trashëgim Basha në Bashkinë e Tiranës? Nëse i referohemi projekteve që prezantoi në fushatën e vitti 2011, mundet të mendojmë për një çast për shfaqje të tipareve të megallomanisë. Por nëse i referohemi deklaratave për shtyp që shpërndan këto muajt e fundit Bashkia, arrihet në përfundimin se minimalisht Basha ka një mendim shumë të mirë për veten. Ja se çfarë thotë p.sh në njoftimin e sotshëm Bashkia: “I verbuar nga xhelozia prej dështaku serial, Edi Rama bllokoi ndërtimin e bulevardit të ri, projektit më të madh urban në historinë e kryeqytetit, bllokoi qindra investime publike që hapnin mijëra vende pune dhe përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve. Në 2 vjet, Bashkia Tiranë përfundoi planin urbanistik, realizoi më shumë punë publike se Edi Rama në 8 vjet, ndërtoi rrugë atje ku s’ka pasur investime për 20 vjet, mbylli plagë që dergjeshin prej dekadash pak metra larg zyrës së Edi Ramës; ndërtoi dhe rindërtoi shkolla, kopshte dhe çerdhe që rrezikonin të shembeshin, sepse kryetari i partisë nuk e kishte mendjen tek qytetarët. Vizioni i Edi Ramës ishte betoni, ndërsa vizioni i Lulzim Bashës, Tirana moderne e europiane, me bulevard të ri, terminal multimodal, transport modern pasagjerësh përmes tramit dhe menaxhim të integruar të mbetjeve është sot një projekt në zbatim, që Edi Rama mund ta vonojë por nuk e ndalon dot”. Tani, për Edi Ramën mund të renditen një vargmal me probleme si drejtues, por është thuajse e pamundur të detektohet qoftë edhe një fije e hollë xhelozie e tij ndaj Bashës si drejtues Bashkie. Kjo sepse rastet po t’i krahasojmë në planin politik as që afrohen fare: Edi Rama e krijoi imazhin dhe karrierën e tij në sajë të suksesit në Bashki. Për Bashën mund të thuhet pa mëdyshje se edhe atë kapital të dhuruar politik që mori në vitin 2005 e konsumoi me qëndrimin në Bashki. Përndryshe, një sukses i dukshëm dhe i prekshëm i Bashës në Bashki, do ta bënte më të konsoliduar pozitën e tij në PD. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bashkisë rendisin si arritje projektet që shtruan për realizim, por që sipas tyre nuk u materializuan se i bllokoi kryeministri. Ky lloj qëndrimi absurd u përsërit edhe në rastin e skandalit në Kopshtin Zoologjik para një jave, a thua ishte qeveria që ndalonte bashkinë të shpërblente me vdekje kalin që vinte vërdallë me rropulli jashtë. Të shesësh “vizionin” si sukses të një detyre që me përkufizim ka natyrë ekzekutive, kjo është pak a shumë sikur vetë kryetari i Bashkisë ta ketë iamgjinuar detyrën e vet si atë të ndonjë përfaqësuesi të ndonjë studioje arkitekture me projekte interesante që janë gati për tenderim. E megjithatë sfida e vërtetë e L. Bashës nis tani që ai humbet edhe formalisht të drejtën e firmës si kryetar bashkie.
s.z
Add new comment