Lufta e Dytë Botërore/ Bashkëbisedim me historianen Dr.Sonila Boçi

Postuar në 26 Shtator, 2014 06:56

Trajtimi i çfarëdo aspekti të Luftës së Dytë Botërore po bëhet gjithmonë e më i vështirë. Prej të gjitha konflikteve të armatosura të shekujve të kaluar Lufta e Dytë Botërore merr interesin më të madh prej një morie dokumentesh dhe materialesh të shkruara dhe filmike që gjenden në arkivat shqiptarë dhe të huaj. Hapja e arkivave të Shqipërisë pro dhe hapja me Perëndimin dhe arkivat që ai ka si dhe përkujtimi i 75-vjetorit të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe i mjaft momenteve kulmore të kësaj lufte nuk mund të mos risjellë në vëmendje kujdesin edhe të historianëve shqiptarë për pjesën që Shqipëria luajti në këtë ngjarje të madhe botërore dhe boshtin ku ajo u rreshtua me dinjitet. Ndonëse jo aq dramatike sa ishte gjetiu, në Shqipëri lufta filloi më herët dhe zgjati më shumë, por kushtet e veçanta të brendshme të Shqipërisë krijuan një larmi situatash, duke krijuar një pafundësi ndërlikimesh. Po cila ishte qëndresa shqiptare menjëherë pas pushtimit të Italisë fashiste në agun e 7 prillit të vitit 1939? Si lindi ajo dhe cilat grupe politike serioze morën pjesë në këtë betejë? Si u rrit lëvizja komuniste në Shqipëri? Cilët ishin protagonistët e saj? Cili ishte qëndrimi i Ballit Kombëtar gjatë këtyre zhvillimeve politike dhe përse Qemal Stafa dhe Miladin Popoviç takohen me Ymer Dishnicën dhe Koço Tashkon e të tjerë në prill të 1942? A ishte ky një takim bashkërendues veprimesh mes komunisteve dhe nacionalistëve për t’i paraprirë mbledhjes së Pezës? Sigurisht që krijimi i këtyre dy grupimeve, këtyre dy forcave politike, Partia Komuniste Shqiptare dhe Balli Kombëtar nuk mund të anashkalohej as nga njëra e as nga tjetra. Ishin dy fenomene të cilat duhej patjetër që të gjenin një mënyrë për të bashkëpunuar. Studiuesja Dr. Sonila Boci, shpjegon më tej gjendjen e Shqipërisë politike në këtë prag katastrofe që po përfshinte Europën dhe si u përfaqsua ajo me forcat e veta politike në këtë arenë të re lufte të dytë, tanimë, pas 21 vjetësh që kish përfunduar një e parë, që ish jo e lehtë.

Zonja Boçi, cili ishte programi i PKSH-së dhe çfarë qëndrimi mbante ajo në lidhje me rezistencën kundër pushtuesit?

Partia Komuniste Shqiptare ishte një parti me filozofi marksiste dhe programi i saj afatgjatë pa dyshim që ishte ai i të gjitha partive marksiste, si i të gjitha partitë komuniste të botës, që do të thotë: internacionalizmi proletar, lufta e klasave, diktatura e proletariatit dhe shtuar kësaj edhe leninizmin që kishte të bënte me marrjen me dhunë të pushtetit. Por kushtet historike në të cilat u krijua Partia Komuniste e Shqipërisë diktuan një tjetër qëndrim të saj. Ajo la mënjanë përkohësisht idealet e komunizmit tradicional dhe adaptoi një tjetër linjë qëndrimi dhe një tjetër filozofi, atë të frontit popullor nacionalçlirimtar.

Pse kjo linjë qëndrimi e PKSH?

Në të vërtetë, kjo linjë politike që adaptoi PKSH-ja nuk ishte ideja e saj, madje nuk kishte lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo kishte të bënte me platformën të adaptuar nga Kominterni që në vitin 1935.

Çfarë ishte kjo platformë e Kominternit?

Në Kongresin VII të Kominternit, dy nga drejtuesit kryesorë të tij Gjergj Dimitrovi dhe Dimitri Manuilski nxitën të pranohej platforma e fronteve popullore. Ndryshe nga sa ishte menduar deri atëherë, komunistët mund të mos vinin në pushtet vetëm me anë të revolucioneve të dhunshme popullore dhe mbarëpopullore. Dy drejtuesit parashtruan edhe parlamentarizmin si rrugë të ardhjes në pushtet të komunistëve. Kështu, partitë komuniste do të nxiteshin të krijonin koalicione me socialistët, socialdemokratët, apo dhe demokratët, pra kryesisht parti të spektrit politik të majtë, të cilët do të bashkëvepronin për të penguar ardhjen në pushtet të partive fashiste e naziste, ose edhe një intervecion të tyre nga jashtë. Ndryshimi u diktua nga nevojat e luftës civile në Spanjë, por edhe nga nevojat e komunistëve italianë dhe atyre francezë. Në vitin 1939, pas paktit sovjeto-gjerman të mossulmimit, ose siç njihet në histori, paktit Molotov-Ribentrop, praktikisht kjo platformë e Kominternit u bë nul, për t’u rivitalizuar pas qershorit të vitit 1941, pra, pas sulmit të Gjermanisë së Hitlerit ndaj Bashkimit Sovjetik të Stalinit, por tani në formën e fronteve të gjera nacionalçlirimtare.

Si iu prezantua kjo platformë e Kominternit te komunistët shqiptarë?

Këtë platformë të Komiternit e sollën që në mbledhjen themeluese të PKSH-së Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, të cilët ishin anëtarët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Në të vërtetë, statusi i tyre jo vetëm në mbledhje, por deri në fund të luftës mbeti disi konfuz dhe i papërcaktuar. Nuk dihej nëse ata ishin të dërguarit e Kominternit, apo të PKJ. Miladin Popoviçi, gjatë mbledhjes, mbajti pozicionin si i dërguari i Kominternit dhe në referatin hyrës të mbledhjes shprehu nevojën për krijimin edhe në Shqipëri të një fronti nacionalçlirimtar siç ishte krijuar, sipas tij, në të gjitha vendet prej demokratëve përparimdashës, në luftë kundër armikut të betuar të njerëzimit, fashizmit. Tre ishin detyrat që u vuri Miladin Popoviçi në emër të Kominternit, komunistëve shqiptarë: 1. Forcimin e partisë dhe zgjerimin e influencës së saj ndër masat; 2. Mobilizimin e masave në luftë kundër pushtuesit; 3. Lidhja e luftës çlirimtare të popullit shqiptar me atë të popujve të tjerë të robëruar. Zyrtarisht, direktivat e Kominternit i vijnë PKSH në mars të vitit 1943 me anë të një letre të Titos, të cilën në Shqipëri e solli i dërguari i tij, Bllazho Jovanoviç. Të gjitha këto udhëzime u pasqyruan edhe në Rezolucionin e Mbledhjes Themeluese të PKSH-së. Pra, lufta kundër pushtuesit dhe organizimi i Frontit Nacionalçlirimtar u bë platforma dominante e PKSH dhe ky mbeti një vektor i pandryshuar deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, madje edhe pas vjeshtës së vitit 1943, kur ajo filloi të hidhte sytë drejt pushtetit politik të pasluftës.

Si u arrit në krijimin e Frontit Nacionalçlirimtar?

Nuk ishte e lehtë. Komunizmi dhe PKSH, fillimisht nuk kishte mbështetje masive, ndërkohë që edhe situata nuk punonte në favor të tyre. Nga njëra anë, pushtuesit italianë kishin shtrënguar masat represive kundër antifashistëve dhe atyre që po u rezistonin, duke aplikuar në masë dënimet me vdekje, por edhe represionin kundër popullsisë, gjë që kishte krijuar një farë stepje të saj. Nga ana tjetër, mungesa e prononcimit të PKSH për çështjen kombëtare, në një kohë kur propaganda e pushtuesit italian dhe e Kryeministrit Mustafa Kruja ekzaltonte bashkimin e Shqipërisë së 1913 me Kosovën dhe viset lindore shqiptare, ishte një tjetër faktor që krijonte vështirësi për krijimin e Frontit. Tjetër vështirësi ishte edhe lufta e brendshme e PKSH ndaj fraksioneve. Megjithatë, PKSH u tregua shumë vitale, falë kjo edhe moshës së re të anëtarësisë. Arriti t’i kapërcente vështirësitë dhe u bë nxitëse për të organizuar një mbledhje ku të merrnin pjesë të gjitha ato grupe që ishin të gatshme të luftonin kundër pushtuesit. Në prill 1942, të ngarkuarit e PKSH për punën me nacionalistët si: Koço Tashko, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi u takuan me Qemal Stafën dhe Miladin Popoviçin për të diskutuar mbi mundësitë për tërheqjen në lëvizje të nacionalistëve. Koço Tashko i ndante nacionalistët në katër grupe: kompromisaxhinjtë, me të cilët, sipas tij, është e kotë të humbasësh kohë; ata të cilët janë goditur nga fashizmi ku ai përfshinte Muharrem Bajraktarin, Abaz Kupin, Myslym Pezën, Haxhi Lleshin etj; klerin katolik françeskan, i cili është treguar antifashist dhe kundër jezuitëve; si dhe grupin e Mehdi Frashërit, i cili, gjithnjë sipas Tashkos, ishte për aksionin pavarësisht moshës së shkuar. U propozua që të thirrej një konferencë duke u mbështetur në grupin e dytë të nacionalistëve.

Përse u zgjodh pikërisht Peza?

Vendi nuk u zgjodh rastësisht. Prej kohësh Myslym Peza kishte ngritur një çetë, e cila kishte ndërmarrë një numër aksionesh kundër pushtuesve. Për më tepër, drejtuesit e PKSH të Tiranës, kishin qenë vazhdimisht në kontakt me Myslym Pezën dhe, mbi të gjitha çeta ishte përforcuar gjatë vitit 1942 me një pjesë të komunistëve të dalë në ilegalitet pas sulmit të majit të atij viti kundër bazave ilegale të PKSH, pas denoncimit të Ludovik Nikës, pra çeta e Pezës ishte më e afiluar me PKSH. Në Konferencën e Pezës, krahas përfaqësuesve të PKSH, si: Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, etj., merrnin pjesë edhe nacionalistë të të gjitha rrymave si: Ndoc Çoba, i cili si më i moshuari hapi edhe mbledhjen, Abaz Kupi, Halim Begeja, Ramazan Jarani, Skënder Muço, i cili më pas u bë edhe një prej komandantëve kryesorë të çetave të Ballit Kombëtar e shumë të tjerë. Është e njohur tashmë vendimi më i rëndësishëm i kësaj konference: bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje politike në luftë kundër pushtuesit, për një Shqipëri të lirë, të pandashme, të pavarur dhe demokratike. Pra, këto ishin aspiratat e pjesëmarrësve në Konferencën e Pezës. Rezultati i menjëhershëm i saj ishte që i dha hov rezistencës së armatosur kundër pushtuesit italian. U forcuan çetat që vepronin më herët si ato të Haxhi Lleshit, Abaz Kupit, Baba Faja Martaneshit etj., dhe u organizuan njësi më të mëdha luftarake si p.sh. batalionet. Vendosja e komisarëve politikë në to rriti influencën e PKSH.

Po Balli Kombëtar si po e përjetonte këtë zhvillim të ri politik?

Hedhja e hapave të para për krijimin e këtij fronti dhe strukturimit të lëvizjes nacionalçlirimtare, nxiti atë pjesë të nacionalistëve, të cilët shihnin se Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar do të dominohej detyrimisht nga PKSH, e cila ishte realisht e vetmja forcë e organizuar brenda tij, por edhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ata u organizuan në atë që quhet Balli Kombëtar, i cili dokumentohet mjaft qartë nga nëntori i vitit 1942 kur shpallet krijimi i tij si një organizatë politike, pjesë e rezistencës kundër pushtuesit. Ç’është e vërteta ka shumë debate në krijimin e Ballit Kombëtar. Mendohet se Balli Kombëtar është krijuar që në vitin 1939, menjëherë pas pushtimit nga Italia fashiste. Në Arkivin shqiptar gjendet një trakt i vitit 1939, i cili mban firmën e Komitetit Nacional Revolucionar. Përveç këtij trakti, nuk ka ndonjë dokument tjetër që të dëshmojë ekzistencën e Ballit Kombëtar më herët, përveç dëshmive të bashkëkohësve si p.sh të Faik Qukut. Kemi, megjithatë, dëshmi të aktivitetit kundër pushtuesve të shumë intelektualëve, të cilët më pas u bënë anëtarë të Ballit Kombëtar, duke përfshirë Safet Butkën, Abaz Ermenjin etj., por jo si pjesë e një organizate të rezistencës.

Cili ishte qëndrimi i Ballit Kombëtar ndaj Luftës në këtë periudhë?

Është një pyetje shumë e rëndësishme dhe mjaft e diskutuar. Para se t’i përgjigjesha do ndalesha të shpjegoja pak çfarë ishte Balli Kombëtar si organizatë. Në të tërë historinë e tij, BK ishte tërësisht një strukturë heterogjene. Dhe heterogjeniteti i tij, lidhet si me përbërjen, me pikëpamjet e tyre politike, por edhe me qëndrimin që ata mbajtën ndaj luftës, veçanërisht gjatë pushtimin italian të Shqipërisë. Ajo çfarë i bashkonte anëtarët e BK ishte republikanizmi, nacionalizmi një nga vektorët ky që Balli nuk e ndryshoi asnjëherë dhe antikomunizmi, i cili fillimisht ishte një nga tiparet jo shumë të shprehur, por me kalimin e kohës filloi të dominonte mbi të tjerët. Për t’u kthyer te pyetja juaj. Sa i takon qëndrimit ndaj Luftës, te Balli Kombëtar do të dalloja tri rryma që në fillim të krijimit të tij. E para, ishte një rrymë pragmatiste e cila nuk e anashkalonte bashkëpunimin me pushtuesin. Kështu Hasan Dosti, i cili ishte një nga anëtarët e kryesisë së BK ishte ministri i Drejtësisë në kohën e qeverisjes së Mustafa Krujës, e cila ishte një nga qeveritë më represive kundër komunistëve dhe antifashistëve. Të tjerë anëtarë të kryesisë së BK siç ishin Faik Quku dhe Kol Tromara në kohën e pushtimit italian pranuan poste në administratën lokale. Ata e përligjën bashkëpunimin me lehtësimin e jetës së shqiptarëve. Nuk kam asnjë arsye që të dyshoj në qëllimet e tyre të mira, por ky bashkëpunim i disa prej elementëve të Ballit apo edhe tendenca për të bërë herë pas here një kompromis të mundshëm, i dha argumente PKSH për t’i sulmuar. Rryma e dytë e BK-së ishte ajo që mbajti një qëndrim pritës ndaj luftës. Ishin njerëz që e njihnin politikën. Kryesia e Ballit Kombëtar përbëhej nga elementë që kishin qenë edhe më herët në politikë dhe e kuptonin që fatet e Luftës së Dytë Botërore nuk do të përcaktoheshin në Shqipëri, por në frontet kryesore të luftimeve. Ata mendonin që duhej të ruhej popullsia nga reprezaljet e armikut, e të mbrohej pasuria kombëtare. Një qasje të tillë në kushtet e luftës, do ta gjykoja si jorealiste dhe të dëmshme. Rryma e tretë, ishte rryma revolucionare e Ballit, e cila u angazhua menjëherë në lëvizjen kundër pushtuesit. Krijoi çetat dhe ndërmori jo pak aksione të armatosura kundër pushtuesit italian.

Ku vepronin kryesisht këto çeta të Ballit Kombëtar?

Ishin kryesisht në jug të vendit. Zona e Vlorës, ishte një nga ato, ku Balli kishte krijuar çeta dhe kryente një veprimtari të spikatur kundër pushtuesit italian. Po kështu në Kolonjë, Gjirokastër, Korçë etj. Po përmend dhe disa nga komandantët: Hysni Lepenica e Skënder Muça, në zonën e Vlorës, Safet Butka në zonën e Kolonjës, Abaz Ermenji në zonën e Skraparit etj.

Në këtë periudhë të Luftës së Dytë Botërore, si ishin marrëdhëniet mes dy grupimeve kryesore politike në Shqipëri?

Në momentin që ekzistenca e këtyre organizatave u bë fakt, zgjidhjet ishin ose të kundërshtonin hapur me luftë njëra-tjetrën ose të gjenin një mënyrë për të bashkëpunuar. Sigurisht që zgjedhja e parë në kushtet kur vendi ishte i pushtuar dhe palët ende nuk njihnin potencialin e tjetrës, nuk do të ishte një gjë e mençur. Në fakt, menjëherë pasi Balli Kombëtar doli në skenën politike shqiptare, Fronti Nacionalçlirimtar dërgoi tre përfaqësues të tij për të folur me një nga krerët e Ballit dhe ta ftonin atë të bashkohej me Frontin, si një organizatë brenda tij. Nga ana e tij, Balli nuk e njihte Konferencën e Pezës dhe nuk e konsideronte Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe gjithë strukturën organizative që ishte krijuar në bazë të tij si një front popullor. Për të, në Shqipëri ekzistonte vetëm PKSH dhe Balli Kombëtar dhe nëse do të arrihej një bashkëpunim, ky do ishte në baza dualiste. Pra, të dyja palët ishin të gatshme të bashkëpunonin, por për modalitetet e tij kishin kundërshtime. Gjithsesi, ajo që mund të themi, është që në këtë fazë të Luftës së Dytë Botërore, pati disa shembuj bashkëpunimi, të cilët për fat të keq, rezultuan të përkohshëm dhe në nivel lokal.

Monika Shoshori Stafa/“Shqip”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.