Lubonja sqaron angazhimin e ri në “Agon Channel” dhe apelon: “Ndryshimin duhet ta kërkojmë duke luftuar brenda sistemit”

Postuar në 05 Prill, 2015 08:41

Fatos Lubonja ka dhënë sot një intervistë për portalin “Lapsi.al” përmes së cilës sqaron angazhimin e tij në “Agon Channel”. Bëhet fjalë për një kënd të vetin ku do të trajtohet ngjarja e ditës ngae hënë deri të premten. Lubonja është pyetur edhe për qasjen e tij kritike ndaj vetë sistemit mediatik dhe për këtë ka dhënë këtë përgjigje: “Kam qenë dhe mbetem kundër këtij sistemi mediatik. Idealisht kam qenë dhe mbetem i idesë se një nga format për të ndryshuar këtë sistem është krijimi i një medieje publike demokratike dhe të paanëshme dhe futja e mediave private në një treg ku të ketë vërtet konkurrencë sipas meritës dhe jo një treg të kapur nga oligarkët. Sot jemi në një situatë ku pushteti synon të kontrollojë gjithçka dhe në këtë kontroll media publike është më afër sistemit që kaluam se sa mediat private, ku gjithsesi ka më shumë hapësira lirie. Për momentin nuk shoh mjet alternativ për të thënë të vërtetën time e për të ndryshuar gjendjen në emër të ideales përveçse duke luftuar me kurajo përbrenda sistemit. Edhe rrjetet sociale, që u dukën idealisht si alternativë, si mundësi lirie pa kufizim, realisht i shoh se janë pjesë e të njëjtit sistem, të manipuluara shpesh nga pushteti politik, pushteti i parasë dhe lobeve të ndryshme. Prandaj kurajua për të luftuar brenda sistemit mbetet shumë e rëndësishme edhe sepse, sikurse thuhet, nuk mund të jesh i lirë vetëm. Dhe po ta shohësh edhe më gjerë më duket se kjo është mënyra më e shëndoshë për të ndryshuar edhe gjendjen e Shqipërisë për këdo që ka ideale të tjera nga ky mjerim ku ndodhemi”.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.