Llotaria e çmimit të energjisë

Postuar në 06 Nëntor, 2014 10:51

Partia Demokratike ka zhvilluar sot një tryezë me përfaqësues të pensionistëve, personave me aftësi të kufizuar, sindikatave, biznesit dhe me ekspertë të ndryshëm, qëllimi i së cilës ka qenë kundërshtimi i efekteve që do të sjellë rritja e çmimit të energjisë. Ka rëndësi praktike dhe më tej politike një përllogaritje që ka bërë të ditur PD-ja dhe që është prezantuar nga eksperti Mateo Spaho. “Kemi ndërtuar një model mbi efektet e rritjes së çmimit të energjisë dhe rritja me 12 lekë e karburanteve. Kemi llogaritur efektet që do të kenë në xhepat e shqiptare dhe në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kemi bërë një llogaritje mbi mallrat më të rëndësishme të shportës  sikur çmimi të rritet vetëm 15 përqind, pra jo mesatarizimi, nga 7.7 në 8.8 dhe rritje me 12 lekë të çmimit të karburantet dhe impakti që do të ketë në rritjen e çmimit të bukës, vezës, djathit, qumështit etj. Kemi llogaritur për familjet e varfëra që marrin 30 mijë lekë në muaj dhe ato mesatare me 50 mijë lekë në muaj. Buka ka një kosto për 24 lekë për t’u prodhuar vetëm nga energjia. Meqë kostoja e një buke është pak a shumë 50 lekë, i kemi shumëzuar dhe kemi parë që do të kemi një shtesë të kostos prej 1.8 lekësh të reja. E njëjta gjë ndodh për vezën, qumështin, djathin ku kemi kontributin e energjisë elektrike në koston e tyre përfundimtare. Familjet që  marrin 30 mijë lekë në muaj do të humbasin 2.5% në fuqinë e tyre blerëse vetëm nga rritja me 15% e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, pa llogaritur çmimin e karburanteve. Familjet që  marrin 50 mijë lekë në muaj do të humbasin 1.5% në fuqinë e tyre blerëse dhe mirëqënien e tyre. Në fakt në produktet e shportës shumë e më shumë, dhe efekti pritet të jetë më i madh, në një kohë që rritja e çmimit e energjisë mund të jetë edhe më e madhe se 15% që e kemi llogaritur ne”, ka thënë Spaho që ka prezantuar një përllogaritje të tillë edhe për rritjen e taksës së karburanteve. Përllogaritja e bërë e merr çmimin e rritur në masën 15%, por duhet thënë se ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, deklaroi para disa ditësh në emisionin “Opinion” se çmimi i ri nuk do të jetë më i lartë sesa mesatarja e dy çmimeve aktuale. Pra nuk do të jetë më shumë sesa 10,6 lekë. Ajo lidhet me çmimet që pritet të pasojnë, edhe pse logjikisht duhet që një ulje e aftësisë blerëse në treg do të çojë në ulje të kërkesës; për rrjedhojë do të kërkonte një stabilizim të çmimeve, por që vihet sërish në dyshim nga rritja e taksës së qarkullimit. Pra karburanteve. Ka edhe dy aspekte që mund të sillen në vëmendje e që duhet thënë se po trajtohen në kushtet kur nuk ka një sqarim të mirëfilltë nga qeveria. Pra qeveria nuk ka bërë asnjë sqarim mbi atë që pret të ndodhë me rritjen e çmimit të energjisë, të cilin madje e mohon se do të ndodhë. Së pari është fakti se kryeministri ka deklaruar se për të përballuar heqjen e fashës do të rriten pensionet e kryefamiljarëve, që shkojnë diku te 200 mijë. Kjo kategori preket nga heqja e fashës, e cila me çmimin e ri, po e marrim 10,6 lekë, do të sjellë një shtim kostoje prej 1000 lekësh në muaj për një konsum 300 kwh që aktualisht paguhet me 7.7 lekë. Që të bëhet një kompensim real do të duhet që shtesa të jetë pra të paktën 1000 lekë, çka do të thotë se buxhetit i duhen 2 miliardë lekë për këtë gjë. Ose 20 milionë dollarë. Mirëpo nga deklaratat e ERE-s, në fashën 300 kwh janë 545 mijë familje, që do të thotë se nga masa e kompensimit nuk përfitojnë 345 mijë familje, të cilat preken nga heqja e saj, por që nuk figurojnë te shtresat në nevojë. Natyrisht qeveria nuk ka as fuqinë dhe as detyrimin të mbulojë me kompensim gjithkënd, por kjo lëvizje ka vetëm një emër: RRITJE E ÇMIMIT. Dhe për më tepër që në eventualitetin e rritjes së pashmangshme të çmimeve në tërësi, qeveria nuk ka parashikuar indeksim të rrogave dhe pensioneve, duke e prekur realisht fuqinë blerëse, por edhe standardin e jetesës.  Aspekti i dytë është goditja ndaj shkelësve të ligjit. Aktualisht po goditen bizneset, që kanë bërë lidhje të paligjshme dhe që janë debitorë. Këto në çdo rast, nuk kanë më arsye më pse të shkelin ligjin, për shkakun e thjeshtë se tarifa e re i favorizon, pasi biznesi deri më sot paguante energjinë me një tarifë rreth 13 lekë. Por qeveria ende nuk ka një statistikë se sa është debiti i biznesit dhe sesa është ky debit për shkak të lidhjeve të paligjshme. Duhet thënë se vetë Kryeministri ka deklaruar se problemi kryesor është në aksin Tiranë-Durrës dhe në Shkodër-Lezhë. Pyetja që shtrohet është: përse nuk nis aksioni i verifikimit nga qendra e Tiranës, nga bizneset VIP të shërbimeve, apo edhe lokaleve që janë përmendur, duke bërë edhe publikimin përkatës me synim edhe transprencën, por edhe dhënien e shembullit për të gjithë? Shto këtu edhe faktin që shkelja është më e lehtë të verifikohet në Tiranë. Pas tryezës së PD-së qeveria ka reaguar, kryeministri përfshirë, me të njëjtën gjuhë: “Një opozitë dritëfikur vajton kohën e ikur të pushtetit të energjisë së vjedhur në kurriz të çdo shqiptari”, komentoi kryeministri tryezën, në të cilën u hodh edhe një propozim: amnisti për faturat abuzive të CEZ. Pra, në planin politik, duket se përgjigja e qeverisë dhe e kryeministrit për të gjithë klëtë problem mund të përmblidhet pak a shumë në fjalët: Saliun dëgjoni Ju? Por kushdoqoftë Saliu, shqetësimi në këtë rast buron nga aritmetika me çmimin dhe jo nga fakti se mos Saliu ka bërë ndonjë truk me aritmetikën. Sa për Shqipërinë e energjisë së vjedhur, askush nuk ka ngritur zërin kundër aksioneve, por të cilat nuk mund të kenë mirëkuptim sa kohë që nuk jepet llogari për atë që vjen me çmimin. Nuk mund t’i besohet as një ministri finance që nga Parlamenti thotë se “unë me 100% nuk mund ta them, por jam i bindur se rritja e taksës së qarkullimit nuk do të sjellë rritjen e çmimit të karburantit”. Se po të jetë për të ndërtuar të ardhmen në këtë mënyrë, atëherë më e udhës do të ishte që qeveritë t’i zgjidhnin me letër me vrimë.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.