Ligji i ri për mbi 80 mijë ndërtime hyn në fuqi në kulmin e fushatës elektorale

Nga sot ka nisur zyrtarisht procesi për legalizimin e më shumë se 80 mijë ndërtimeve informale të pas vitit 2006. Ligji i botuar dy javë më parë në Fletoren Zyrtare ka hyrë tashmë në fuqi. Nga ky ligj, do të përfitojnë më së shumti ata që kanë ndërtuar shtesa pallatesh, ndërtesa mbi 5 kate apo banesa pranë akseve rrugore. Kushti kryesor për të përfituar legalizimin është që pronësia të mos jetë objekt i çështjeve gjyqësore.
Me hyrjen në fuqi të ligjit, të interesuarit do të duhet të paguajnë tarifën për legalizimin dhe më pas të përfitojnë edhe regjistrimin e objektit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në ndryshim nga i mëparshmi, ligji i ri përcakton se për rastet kur aplikuesi nuk paguan tarifën e legalizimit, atëherë prona do të regjistrohet në ZRPP në emër të Agjencisë së Legalizimeve, deri në momentin që do të bëhet shlyerja e detyrimeve financiare.
Në ligjin e vjetër, për rastet e shtesave të pallateve, nëse njëri prej bashkëpronarëve të shtesës së pallatit nuk paguante, atëherë procesi pezullohej për të gjithë banorët. Ndërkohë, që me ndryshimet e reja, procesi i legalizimit vijon për ata që paguajnë tarifën e legalizimit për shtesën e pallatit apo godinat në bashkëpronësi dhe nderpritet vetem per ata qe nuk paguajne. Pra nuk penalizohet pjesa që shlyen detyrimet. E.Shehu
Add new comment