Lideri kyç i rrëzimit të komunizmit

Postuar në 20 Nëntor, 2014 16:57

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka informuar përmes profilit të tij në “Facebook” se ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare kushtuar 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. “25 vjet nga rënia e diktaturave komuniste në Europen Lindore: Vështrim pas, Vështrim përpara", quhej konferenca, ku siç shprehet z. Berisha, kanë marrë pjesë njerëz të njohur si protagonistë të ngjarjeve që çuan në fundin e regjimeve komuniste në Europën Lindore. Berisha ka informuar se në fjalën e tij ka folur për zhvillimet e këtyre 24 viteve, por është ndalur sidomos te rikthimi i portretit të Enver Hoxhës nga kryeministri aktual. Me Enver Hoxhën, ne asociojmë një figurë që ndër të tjera, e ktheu shkrimin e historisë në një lloj diktimi gjuhësor dhe faktografik me funksione koniunkturale/manipuluese në raport me të vërtetën. Por sidomos ai do të mbetet si një nga njerëzit që imponoi një kult të vetes me pasoja shumë të thella dhe e ka bërë këtë përmes sugjerimeve-urdhra ekskluzive historiografike për shqiptarët. Mirëpo vetë Berisha  në përmbledhjen që publikon në “Facebook” nuk shpëton pa bërë një sugjerim të këtillë, ndonëse tanimë jo ekskluziv. Sugjerim i cili merr kuptim sidomos edhe nga realiteti akademik shqiptar, që mban brenda historianë të majtë dhe historianë të djathtë. Ja se çfarë shkruan Berisha për veten: “Sot mora pjesë në ditën e parë të punimeve të Konferencës Ndërkombëtare "25 vjet nga rënia e diktaturave komuniste në Europën Lindore: Vështrim pas, Vështrim përpara", kushtuar 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, që po zhvillon punimet në Bukuresht, e thirrur nga fondacioni rumun për demokracinë, i kryesuar nga ish-presidenti i Rumanisë Emil Constatinescu dhe senati rumun. I ftuar si një nga liderët që luajtën rol kyç në rrëzimin e komunizmit dhe në tranzicionin drejt një shoqërie demokratike, në fjalën e mbajtur, ndër të tjera theksova se rënia e Murit të Berlinit është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e lirisë së njerëzimit...”. Tani është e sigurtë se ka një pjesë jo të vogël shqiptarësh që mendojnë pikërisht kështu dhe kjo mund të mirëkuptohet se përse. Qoftë edhe historikisht. Por është po kaq e sigurtë se që këtej e tutje, do të ketë një pjesë tjetër që do të fillojnë të mendojnë kështu, ose më mirë, do të fillojnë të flasin kështu. Këtu nuk është puna vetëm se çfarë është e vërtetë ose jo, por vjen në vëmendje fakti se një politikan, protagonist edhe i ngjarjeve të vitit ’90-’91,  kohë kur nuk i kishte humbur cilësitë e anëtarit të PPSH-së, vetëpërcakton statusin e tij historik(Pavarësisht nëse ftesa mban ose jo këtë përkufizim). Për më tepër që nisur nga memuarstika dhe publicistika e këtyre viteve, por edhe realiteti institucional që prej 1992 e më pas, z. Berisha më mirë përcaktohet për rolin e tij, si lideri kyç i periudhës së tranzicionit, pse jo edhe i zgjatjes së tij, për shumëkënd. Ose, si një njeri i pushtetit. Pasi është pikërisht kjo periudha në të cilën, ndikimi i tij prodhon pasoja. Dhe sërish, në çdo rast, ky është një konstatim empirik dhe i thjeshtuar, sa kohë që nuk ka folur historia. Çështja e rrëzimit të komunizmit në përgjithësi është ende e pasqaruar mirë në Shqipëri dhe vetë z. Berisha pohon se në vendin tonë gjallon fort Enverizmi, që është frymë më e afërt me konstitucionin psikologjik të shqiptarit në raport me pushtetin. Nuk duhet harruar se hapja e ambasadave, lëvizja studentore, demonstrata e 20 shkurtit dhe emigracioni masiv i marsit 1991, si stacione që i dhanë fund regjimit të nisur zyrtarisht më 1946-ën, u vetëkatalizuan në rrethana të një pakënaqësie masive. Por ato nuk u verifikuan si lëvizje me organizim politik dhe me qëllime të përcaktuara politikisht. Zgjedhjet e marsit 1991 i dhanë fitore PPSH-së, që dëshmon se pluralizmi nuk e shkallmoi pushtetin. Ndaj nuk mundet që prezenca formale, në ngjarje që kishin nisur rrjedhën, të shërbejë si instrument i afirmimit të një roli lidershipi që në rastin më fatlum, i përket një ekipi njerëzish, që edhe kështu, për shkak të përvojës së pakët, më tepër u shkuan ngjarjeve nga pas, sesa i përgatitën, apo i udhëhoqën ato.

skerdilajd zaimi  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.